Bajrami: Partia në pushtet po i konsideron fëmijët, SBASHK-un e prindërit si opozitë

Ish-ministrja e Arsimit, tani deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se e shtuna e sotme ishte ditë dështimi dhe jo ditë mësimi.

Bajrami në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar  se shumica e nxënësve në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk kanë shkuar sot në shkollë.

“E njëjta situatë ishte pothuajse në secilën shkollë. Diku shkuan dy nxënës, diku katër e diku tjetër shtatë. Por, mësimi nuk u mbajt”, ka shkruar ajo.

Bajrami ka theksuar se nxënësit nuk e përfillën urdhrin e ministres Nagavci.

Postimi i plotë i  Bajramit, pa ndërhyrje:

E shtuna ditë dështimi, nuk ishte ditë mësimi

Shumica e nxënësve në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk kanë shkuar sot në shkollë. E njëjta situatë ishte pothuajse në secilën shkollë. Diku shkuan dy nxënës, diku katër e diku tjetër shtatë. Por, mësimi nuk u mbajt.

Nxënësit nuk përfillën urdhrin e ministres Nagavci. As kërcënimet se do t’i përdorë inspektorët për mbikëqyrur mbarëvajtjen e mësimit këtë të shtunë nuk funksionuan.

Përgjegjësia për dështimin e mësimit është e ministres Nagavci, e cila hartoi kalendarin mësimor pa e pyetur askënd. As prindërit dhe as përfaqësuesit sindikalë të arsimit.

Partia në pushtet, Qeveria dhe ministrja Nagavci po i konsiderojnë fëmijët, SBASHK-un e prindërit sikur të ishin opozita e këtij vendi.

Qasje krejt e gabuar. Nuk bisedojnë me SBASHK-un; nuk bisedojnë me prindërit, nuk bisedojnë me mësimdhënësit. E kërcënojnë se do të përdorin inspektorët.

Rezultati: DËSHTIM

Krejt çka dinë është shantazhi. Inatet i kanë me të mëdha se qëllimin.

Me dialogu duhet sidomos me ata që nuk pajtohesh, andaj ulu dialogo me SBASHK-un, me prindërit dhe me të gjithë derisa të pajtoheni për kompensim të orëve, sepse qasja juaj vetëm dështim po na sjellë asgjë tjetër.

Humbësit janë fëmijët, familjet dhe gjithë shoqëria.