Bajrami: Nuk do të ketë mbyllje të dytë, mbyllja e parë nuk prodhoi rezultat

Kosova sikurse edhe pjesa tjetër e globit, po i druan një vale të dytë të coronavirusit. Në çdo rast, në qeverinë aktuale thonë se nuk parashihet një mbyllje e dytë, siç ishte vendosur në fillim të pandemisë.

Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami ka thënë se mbyllja totale si masë mbrojtëse nga coronavirusi, nuk ishte një zgjidhje që prodhoi ndonjë rezultat.

Kosovarët mund të mos kenë më nevojë që të krijojnë radhë të gjata para mullinjve e marketeve për të siguruar miell e rezerva ushqimore, nga frika prej një karantinimi të dytë, si masë mbrojtëse nga koronavirusi.

Vala e dytë e coronavirusit mund të godas edhe Kosovën, por izolimi, sipas asaj që tha ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami, nuk preferohet si masë.

“Mbyllja ka rezultuar që nuk prodhon ndonjë rezultat. Ne mund ta shmangim me anë të masave izolative mund ta shmangim virusin për një kohë të gjatë, por ditën kur po hapemi, kur po i heqim masat dhe po relaksohemi, po kthehemi pikërisht në ditën kur jemi mbyllë”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Hykmete Bajrami.

Bajrami thotë se është e vështirë të bëhet parashikimi se sa do të dëmtohet ekonomia, në rast të një karantimi tjetër.

“Kur jemi tek një mbyllje potenciale, shpresoj që të mos ketë nevojë, është e vështirë për të parashikuar edhe mbështetjen sepse ne të hyrat e biznesit i kemi nga bizneset dhe në momentin kur mbyllen ato, atëherë edhe të hyrat e buxhetit bien. Atëherë duhet të shikojmë për burime alternative të financimit dhe mbajtjes gjallë të këtyre bizneseve, por po shpresojmë që gradualisht jemi duke iu rikthyer normalitetit dhe nuk kemi nevojë të kthehemi atje ku kemi qenë para disa muajve”, deklaroi më tej Bajrami.

E ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme për secilin opsion.