Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti, në “debat me shkumësa”, për të diskutuar lidhur me performancën e ndërmarrjeve publike.

Bajrami, përmes një videoje të publikuar në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se deklarata e Kurtit, gjatë një tubimi në Podujevë, se ndërmarrjet publike gjatë vitit 2016-2019 kanë operuar me humbje, kurse gjatë periudhës 2021-2023 këto ndërmarrje kanë gjeneruar një fitim prej 139 milionë eurosh, nuk është e vërtetë.

“Sinqerisht, është e vështirë të kuptohet se si kryeministri në ikje mund të japë deklarata dhe shifra të tilla, kur dihet që raportet zyrtare janë lehtësisht të lexueshme dhe të qasshme për publikun. Pse këto pretendime nuk qëndrojnë? Sepse në grupin e këtyre 17 ndërmarrjeve publike përfshihen edhe Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT)”, ka deklaruar Bajrami.

Ajo ka sqaruar se Kurti së bashku me kabinetin e tij s’kanë llogaritur koston e importit të energjisë elektrike, para se të flasin për shifra të tilla.

“Vetëm për periudhën 2021-2023, pa përfshirë vitin 2024, kjo kosto arrin në 521 milionë euro”.

“Nuk janë marrë parasysh humbjet e energjisë elektrike të regjistruara në pasqyrat financiare të KOSTT-it. Sipas këtyre pasqyrave financiare, humbjet e regjistruara për energjinë kanë qenë: Në vitin 2020, një vit pandemik 8.7 milionë euro, në vitin 2021 52 milionë euro, në vitin 2022 78 milionë euro dhe në vitin 2023 35 milionë euro. Kjo do të thotë se humbjet totale të energjisë për periudhën 2020-2023 arrijnë në 165 milionë euro, të cilat nuk janë përfshirë në llogaritjet e fitimit të pretenduar nga qeveria”, sqaroi Bajrami.

Ndër të tjera, ka theksuar se një aspekt tjetër i anashkaluar është mbështetja buxhetore e ofruar nga Qeveria e Kosovës për ndërmarrjet publike, pasi që mbështetja në krahasim me qeverisjet e kaluar, sipas Bajramit, në qeverisjen Kurti ka qenë trefish më e madhe.