Bajram Gecaj ‘selam’ Janjiqit: Mund të përfundosh si Millosheviqi, kujdes!

Shefi i Kabinetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bajram Gecaj, njëherësh edhe zyrtar i LDK’së, ka reaguar pas deklaratave të Abatit të Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, i cili tha se ideja që Kosova nuk është pjesë e Serbisë është e dëmshme për shtetin serb.

Gecaj, me anë të ‘Facebook’-ut, ka thënë se Janjiq mund të përfundojë si “Kasapi i Ballkanit”, Sllobodan Millosheviq.

“Sava Janjiq e provoi edhe sot se Kisha Ortodokse Serbe ka qenë dhe vazhdon të jetë shtyllë e politikave nacionaliste e shoviniste serbe. Ai duhet ta kuptoi se me një retorikë të tillë e ardhmja e kësaj kishe në Kosovë ka gjasa të përfundoi si fati i regjimit të Kasapit të Ballkanit”, shkroi Gecaj në ‘Facebook’.

Janjiq reagoi lidhur me deklaratën e kreut të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Vladimir Kostiq, i cili tha se Kosova nuk është e Serbisë. Një koment i këtillë është cilësuar si i dëmshëm për shtetin nga Igumeni i Manastirit të Deçanit.

Ai në rrjetin social Facebook shkroi se “ajo nuk është e drejtuar kundër një apo dy peshkopëve por kundër gjithë Kishës (SPC) që rreth çështjes së Kosovës është unike me shumicën e popullit tonë dhe ajo është fyerje e imazhit të Akademisë Serbe të Arteve e Shkencave (SANU) dhe shumë njerëzve të ndershëm”.

“Qëndrimi i SPC për Kosovën nuk rrjedh nga politika e lirë, por është qëndrim i pranisë shumë-shekullore të popullit tonë dhe objekteve të shenjta, historisë sonë shpirtërore dhe identitetit kulturor ku duhet të mbështet edhe SANU”, ka vazhduar tutje ai.