Bajram Gecaj: Kjo është e vërteta e takimit me deputetët e Listës Serbe

Sot u raportua se ish zëvendësministri dhe ish këshilltari i kryetarit të LDK-së Isa Mustafa sa ishte kryeministër, Bajram Gecaj, është takuar me njërin nga përfaqësuesit e Listës Serbe, deputetin e Kuvendit të Kosovës, Sllavko Simiq.

Në këtë raportim u tha se “Bajram Gecaj kërkon votat e Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj”.

I kontaktuar nga Ballkani.info, Gecaj i ka hedhur poshtë pretendimet e këtij raportimit, duke e quajtur edhe të turpshëm.

“Është e dhimbshme dhe e turpshme se si shërbehen mediat tona me informata të rrejshme (fake neës) apo plotësisht të sajuara nga vetë ata. Rendi do ta kërkonte që së paku të më kontaktonin për të marrë versionin tim të kësaj ngjarjeje vërtetë të pa-ngjarje”, thotë Gecaj.

Ai tutje e sqaron edhe “takimin” me Simiqin.

“Sot kisha një takim pune me një ndërkombëtar të rëndësishëm në restorantin “Le Bouchon”, i cili gjendet shumë afër ndërtesës kryesore të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Takimin e përfundova diku pak pas mesditës. Në dalje të restorantit takova deputetët e Republikës së Kosovës nga Lista Serbe, të cilët sapo kishin dalë nga oborri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, qeveri të cilën thuhet se e bojkotojnë. Natyrisht që i përshëndeta, dhe pasi shkonim në drejtimin e njëjtë, ata me mua (apo unë me ata) ecëm së bashku për një distancë jo më të madhe se njëqind metra, deri tek kthesa e parë”, sqaron Gecaj për Ballkani.info.

Sipas tij, “shkrimi i sotëm tendencioz tregon qartazi se në Kosovë, përpos politikanëve dhe zyrtarëve shtetëror, ka probleme serioze edhe me segmentet tjera të shoqërisë sonë shumë nga të cilët janë bërë servil apo mercenarë klasik të politikës ditore”.

“Media dhe shoqëria civile janë shtylla shumë të rëndësishme të secilës shoqëri demokratike, duke ndikuar në korrigjimin dhe balancimin e shtyllave tjera të shtetit demokratik dhe shoqërisë ku sundon rendi e ligji. Prandaj, edhe shoqëria dhe shteti ynë, jo që nuk po ecën para, jo që ka stagnuar tërësisht, por, fatkeqësisht, kemi një kthim të rrezikshëm prapa, drejt një shoqërie autokratike ku secila pore kontrollohet nga krimi e kriminelët”, ka thënë ai më tutje për Ballkani.info.

Sa i përket mundësisë së negocimit me Listën Serbe, Gecaj thotë se po t’ia kërkonte partia këtë detyrë, ai do ta bënte pas asnjë hezitim.

“Mua, edhe po të më kërkonte partia të negocioj me përfaqësues të Listës Serbe, do ta bëja atë pa asnjë hezitim. sepse nuk kam çfarë të fsheh dhe nuk kam asnjë brejtje ndërgjegjeje, sepse historiku im, dhe i familjes sime në përgjithësi , është i pastër si loti. Pra, nuk do të isha “sekser”, siç më etiketuan sot mediat e papërgjegjshme, por negociator me kredenciale praktike, akademike e profesionale. Sa për informimin korrekt të opinionit publik, edhe pse unë sot nuk kam negociuar me askënd, megjithatë, mendimi im personal, i cili shkon ndesh edhe me disa zyrtarë të partisë sime, është se nuk ka asgjë të keqe po të rrëzohej kjo qeveri e mbrapsht edhe me votat e deputetëve të Republikës së Kosovës nga Lista Serbe; vetëm se kjo duhet të bëhet pa kushtëzime! Qeveria Mustafa ishte rrëzuar edhe me votat e Listës Serbe, Qeveria Haradinaj ishte formuar kryekëput me votat e Listës Serbe, dhe secila qeveri e ardhme do të ketë Listën Serbe brenda saj, nëse paraprakisht nuk e ndërrojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj unë i bëj ftesë të gjithë deputetëve, në veçanti atyre të opozitës, që këtë qeveri ta dërgojmë në harresë sa më parë që është e mundur”, ka thënë ai në fund.

Të rikujtojmë se opozita është në kërkim të votave për ta ngritur mocionin e mosbesimit për Qeverinë Haradinaj. Deri më tash ata thonë se i kanë 58 vota të siguruara, mirëpo për rrëzimin e qeverisë duhen minimalisht 61 vota. /Ballkani.info/

loading…