Bajqinovci “madhëron” Kurtin: Opozita nëpër takime në ambasada po kërkojnë rrëzimin e tij

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka akuzuar opozitën se kanë kërkuar nëpër takime me ambasadorë rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti nga pushteti.

Bajqinovci në RTV Dukagjini, nuk është kursyer me akuza të tjera ndaj opozitës, duke pretenduar se dëmi më i madh në dialog po shkaktohet nga ata.

“Mos e harroni, në këtë dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dëmi më të madh që po i shkaktohet Kosovës është nga opozita”, ka deklaruar Bajqinovci

Ai shkoi edhe më tej, duke pretenduar se opozita nëpër takime në Ambasada ka kërkuar largimin e Kurtit në pushteti.

“Në takimet nëpër Ambasada, edhe në takime joformale e formale, opozita shkon thotë hiq Albin Kurtin, se ne i bëjmë të gjitha.” – tha ai.

Bajqinovci u pyet nga njëri prej panelistëve nëse mund ta vërtetojë këtë, dhe se “çfarë të keqe ka nëse është e vërtetë”.

“Takimet të përditshme i kanë. Ka të keqe këtu”, ka thënë ai.