Bahtiri i reagon Hazirit: Askush nuk mundet me fol për dhënie të territoreve të Veriut të Kosovës

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i ka reaguar kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, për deklaratën e tij për shkëmbimin e territorit.

Këtë reagim Bahtiri e bëri përmes një postimi në Facebook, ku ka shkruar se askush nuk ka të drejtë dhe nuk mundet me fol për dhënie të territoreve të veriut të Kosovës.

“Asnjëherë. Unë kurrë nuk kam thanë që veriu nuk duhet me qenë Kosovë. 17 fshatra të komunës se Leposaviqit, Zubin Potokut për Preshevë, Bujanovcin, Medvegjen nesër i jap. 17 fshatra janë. 17 fshatra janë pru në Kosovë në vitet e pasluftës së dytë botërore dhe janë marrë komplet vargmalet e Karadakut dhe vendbanimet shqiptare të Preshevës dhe Bujanovcit, Medvegjes. Janë bartë ne rrethin e Vrajës. Në asnjë mënyrë me veriun. Veriu është edhe term edhe territor i madh. Veriu dhe lindja e Kosovës janë të pandryshueshme sepse ne jemi lindje ata janë veri, janë të pandryshueshme. Fshatrat në Leposaviq, Zubin Potok janë etnike serbe, nuk ka asnjë shqiptarë. Kanë qenë me një kohë në organizim territorial me Serbinë. Ai është korrigjim i kufirit demarkim, korrigjim teknik i kufirit, bile nuk quhet as ndryshim i kufirit në kuptimin e një pajtimi eventual”, ka deklaruar Haziri në një intervistë.

Postimi i plotë:

Askush nuk ka të drejt dhe nuk mundet me fol për dhënie të territoreve të veriut të Kosovës. Dikur e ndanë Mitrovicën për shkak se qyteti nuk kishte Zot shtëpie, mirëpo tash është ndryshe dhe prekjen e territoreve nuk do ta lejoj me asnjë kusht sa të jem kryetar.

Lutfi Haziri nuk mundet t’i jep territoret e veriut, siç paska deklaruar, madje ai dhe askush tjetër nuk mund t’i jep as territoret e Gjilanit, sepse projekti i ndarjes së Kosovës përmes përdorjes së terminologjisë “shkëmbime territoriale” tashmë ka vdekur.

“Arkitektet” e rrëzimit të Qeverisë së Shpresës, ishin edhe “arkitektët” e ndarjes së Kosovës, sigurisht të prirë nga presidenti.