Bahtiri bindshëm thotë se bashkimi i Mitrovicës do të realizohet, urën ka menduar ta quante Shakira!

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk ndalet me kërkesën për t’u bashkuar dy komunat e Mitrovicës në një komunë të vetme. Ai në Interaktiv të KTV-së, tregoi se sot mbajti një debat të hapur me qytetarët në Mitrovicë, ku ka dëgjuar mendimet e tyre për idenë e tij, duke kërkuar kështu nga ta edhe nënshkrimin e një peticioni.

E për bashkimin e Mitrovicës, Bahtiri thotë bindshëm se do të ndodhë. Madje, thotë se do të votohet edhe në Kuvend, ashtu siç u votuar për Ushtrinë.

“Ne e patëm një iniciativë ku Kuvendi votoi për një kërkesë drejtuar Qeverisë duke i kërkuar t’i nisë procedurat për kthimin e qytetit të Mitrovicës së Veriut, që të jemi një qytet. Nuk kemi zgjidhje tjetër, prej ardhjes sime në vitin 2013, kam provuar gjithnjë të bëjë gjithçka për qytetarët, me një Mitrovicë të ndarë nuk bën. Kam dashur dhe dua ta stabilizojë situatën”, tha ai.

Bahtiri tha se përpjekjet e tij janë që të jetë vetëm një qytet për, siç tha ai, “qytetarë të qytetëruar të një qyteti”.

“Me z.Goran Rakiq kemi pasë përplasje në sy të Apostolovës, nga atëherë nuk kemi pasë kontakte. Pas kësaj ndodhi edhe dorëheqja e kryetarëve në Mitrovicën Veriore. Ata i kanë sytë vetëm kah Beogradi e trupin këndej”, tha Bahtiri.

Kreu i Komunës së Mitrovicës së Jugut, akuzoi nivelin qendror për mospërkrahje sidomos Ministrinë e Pushtetit Lokal e cila refuzoi kërkesën e Bahtirit për bashkim të komunave.

“Nuk do të thotë që plani i Ahtisaarit ka qenë i volitshëm kur është shpallë pavarësia, por s’do të thotë që s’mund të ndryshohet. Nëse shteti do që të funksionojë, ndryshohen edhe marrëveshjet, edhe ligjet, edhe kushtetuta”, tha ai.

Bahtiri tha në Interaktiv se edhe nëse se përkrah askush, madje as kryeministri Haradinaj, ai do ta bashkojë Mitrovicën.

Bahtiri tha se “Haradinajn e kam mik, edhe nëse s’më përkrah, s’më përkrah. Po ju them se ideja ime do të ndodhë. Është kërkesë që nuk bëhet ndryshe. S’po e them nga dëshira por nga zori. S’mund të tolerojë që në Kosovën të lirë e të shenjtë të valojnë flamuj të një shteti tjetër e të mos ketë simbole të shtetit tonë. S’do të lejojmë të qeveriset nga pushteti që u ka dhënë kryetarëve kudo që janë, të diskriminojnë palën tjetër pakicë. Mitrovica e bashkuar do të ndodh, çdo deputetë e çdo njeri duhet ta kuptojë, se të shohësh pasurinë tënde të uzurpuar, e të jesh refugjat në shtetin tënd, atëherë duhet vepruar Qeveria e Kosovës”, tha tutje.

“E di shumë mirë se kjo do të realizohet. Kjo duhet të realizohet për shumë gjëra që padrejtësisht na e kanë bërë këtë”, tha Bahtiri tutje me plot bindje.

Bahtiri u shpreh shumë i bindur se kjo ide e tij për bashkim të Mitrovicës, do të votohet në Kuvend.

“Deputetët e Kosovës do ta japin verdiktin e vet. Do të jetë vendim i njëjtë së ishte për Ushtrinë”, tha ai.

Kryetari Bahtiri tha se mirëqenia e qytetarëve është rritur në Mitrovicë, e sipas tij, më e rëndësishme mbetet ideja e tij për bashkim të Mitrovicës.

E quajti veten ‘punëtor’ tha se ‘Agim Bahtiri kurrë s’do të ndalet duke u ndihmuar qytetarëve të vet’, duke e akuzuar qeverisjen e kaluar.

Nëse bashkohet Mitrovica, dhe do të lëshohet Ura, Bahtiri tha se do të mbahet një koncert, por jo siç kishte menduar dikur, duke e ftuar këngëtaren Shakira.

“Kam menduar që të hapet me një koncert. Mesazhi të jetë kuptimplotë për të gjithë. Një njeri që e dëshirojnë të gjithë dhe apeli i saj të jetë simbol i paqes. Por ajo kohë ka kaluar, jemi në kohë tjetër. Mitrovica do të bashkohet, Ura do të hapet. Unë s’do të lejojë të ketë ura bllokuese”, tha ai.

“Por të vie Shakira në këtë gjendje, asaj nuk i ofrohet siguri e plotë. Jo në këtë kohë. Shakira do të kërkojë më shumë siguri. Iniciativa ka qenë për Shakirën, kemi qenë në kontakte me të”, tha Bahtiri duke mos dashur të komentojë më tepër se çka i kishte thënë Shakira.

Tutje ai tha se e kishte menduar që këtë Urë, ta quante Shakira.