Ukraina ka nevojë “urgjentisht” për më shumë mbrojtje ajrore për t’u mbrojtur nga një “rrebesh i raketave ruse”, paralajmëroi ministrja e Jashtme gjermane.
“Ukraina duhet urgjentisht të forcojë mbrojtjen e saj ajrore përballë sulmeve të pamëshirshme ruse”, paralajmëroi ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ndërsa mbërriti në Kiev.
Vizita e saj e paparalajmëruar erdhi pasi më shumë se dy duzina dronë rusë shënjestruan Ukrainën gjatë natës, në një sulm të raportuar që la disa të plagosur në rajonin lindor të Kharkiv.
“Situata në Ukrainë është përkeqësuar edhe një herë në mënyrë dramatike me sulmet masive ajrore ruse mbi infrastrukturën civile dhe ofensivën brutale ruse në rajonin e Kharkiv”, tha Baerbock.
“Mbështetja jonë bazohet në bindjen e thellë se Ukraina do ta fitojë këtë luftë”, shtoi Baerbock, shkruan The Guardian.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka përsëritur lutjet për aleatët që të dërgojnë më shumë mbrojtje ajrore dhe avionë luftarakë për të luftuar epërsinë ajrore të Rusisë ndërsa lufta po kalon vitin e tretë.
Ai tha se Ukrainës i duheshin “120 deri në 130” avionë luftarakë F-16 ose avionë të tjerë të avancuar për të arritur “barazinë” me Rusinë.







