Annalena Baerbock

Baerbock: Nuk ka alternativë tjetër për Kosovën dhe Serbinë, angazhim për marrëveshjen e Ohrit

“Nuk ka asnjë alternativë tjetër përveçse asaj që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë të vendosur për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”.

Ky ka qenë mesazhi i kryediplomates gjermane, Annalena Baerbock, në konferencën e përbashkët nga Tirana me homologun e saj shqiptar, Igli Hasani dhe komisionerin për fqinjësi të mirë, Oliver Varhelyi.

Ministrja njoftoi se gjatë takimit në Tiranë është folur për provokimet e palës serbe përmes rritje së trupave në kufi me Kosovën.

Me këmbëngulje kryediplomatja u shpreh se pret nga Qeveria serbe të hetojë sulmin e 24 shtatorit.

“Presim nga Serbia të çojë para hetimet dhe të kontribuojë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Situata është aq e tensionuar sa NATO ka rritur praninë e KFOR dhe ne bëjmë të qartë se qëndrojmë vigjilentë dhe do kontribuojmë në afatgjatë për stabilitet”.

Për të, çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe Prishtinë.

Ndërkaq sa i takon Procesit të Berlinit, ministrja theksoi se ai “është në shtëpinë e tij, këtu në Shqipëri, në zemër të Ballkanit Perëndimor”.