Babai i Gjokoviqit flet për Kosovën: U lakmoj shqiptarëve se si i mbrojnë interesat e tyre kombëtare

Srgjan Gjokoviq, babai i tenistit të njohur serb, Novak Gjokoviq, ka folur për Kosovën dhe për shqiptarët në një emision televiziv në Serbi . Novak Gjokoviq ditë më parë e fitoi grand slamin “Australian Open”, duke vazhduar me suksese kulmore në sportin e tenisit.

Familja Gjokoviq është me prejardhje nga Kosova. Srgjan Gjokoviq ka thënë se djalin e tij e presin shumë mirë në Kosovë. Në të vërtetë, Novak Gjokoviq në shumë raste ka pasur qëndrime anti-Kosovë dhe antishqiptare.

“Novakun në Kosovë e presin në mënyrë fantastike. Atje së fundmi ka qenë shumë kohë më parë, ndërsa e kanë pritur dhjetëra mijëra njerëz në Mitrovicë. Novaku asnjëherë nuk i ka sulmuar shqiptarët, vetëm i ka ofruar përkrahje popullit të tij. Kosova është qëllimi i ekzistencës tonë në këtë tokë”, ka thënë Srgjan Gjokoviq në TV Happy, raporton “index.hr”.

“Kosova ka më shumë se 2000 manastire. Është toka jonë e shenjtë, si Jerusalemi për hebrenjtë. Nuk kam asgjë kundër shqiptarëve, madje iu lakmoj se si i mbrojnë interesat e tyre nacionale. Unë do të jepja çdo gjë që populli im të luftonte ashtu për Serbinë. Që interesat personale të shmangen dhe të kthehen interesat nacionale që kanë humbur në Serbi”, ka theksuar Srgjan Gjokoviq.

Sipas tij, Novaku duhet të jetë shembull për të gjithë serbët.

“Populli dhe kombi duhet të jenë prioritet. Vetëm kështu mund të fitojmë në këtë botë të padrejtë. Populli dhe kombi duhet të jenë të parët. Pa këtë nuk mundemi asgjë. U lakmoj kroatëve dhe shqiptarëve, ata sillen kështu, shfaqin flamurin e tyre kudo që paraqiten nëpër botë”, ka theksuar Srgjan Gjokoviq, ndër të tjera.

Ai ka vazhduar me propagandën e njohur serbe duke thënë se të gjithë janë kundër tyre.