Naim Musliu ka konsideruar se vdekja tragjike e djalit të tij, Agon Musliut në karantinën e Qendrës së Studentëve në Prishtinë është vdekje politike. Duke raportuar në Komisionin parlamentar për menaxhimin e pandemisë COVID-19, ai ka hedhur akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e bërë përgjegjës partinë e Albin Kurtit për rastin tragjik, të cilin disa herë e quajti edhe vrasje.
Ai ka drejtuar kritika të ashpra drejt kryetares së Komisionit, Mimoza Kusari-Lilës, ndërsa Qendrës së Studentëve, që shërbeu si karantinë në kohën e rastit tragjik, shpesh herë iu referua si “burgi i Albinit”.
“Vdekja e djalit tim është vdekje politike. Vdekje politike. Pse e them këtë? Se kam fakte”, ka thënë ai, duke shtuar të gjithë akterët tjerë politikë e kishin kuptuar se djali i tij s’duhej të karantinohej, përveç LVV’së.
Ai ka insistuar karantinimi i djalit të tij është bërë vetëm për shkak të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ky dërgim në burgun e Albinit është varë nga Vetëvendosje. Prandaj edhe s’po i them Qendra e Studentëve, por burgu i Albinit”, ka thënë Musliu.







