Visar Azemi

Azemi (LDK) për trevjetorin e fitores së VV-së: 14 shkurti i zhgënjimit dhe mashtrimit

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, e ka kritikuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, në trevjetorin e fitores së zgjedhjeve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Azemi tha se fitorja e VV-së më 14 shkurt ishte i zhgënjimit dhe mashtrimit.

Ai theksoi se ajo çka bëri Qeveria Kurti në këto tri vjet është lëkundja e themeleve të shtetit, duke dëmtuar Kosovën, sipas tij, në dialogun me Serbinë e politikën e jashtme.

“Kur do të duhej të punohej për një Kosovë të fuqizuar ndërkombëtarisht, ky pushtet solli sanksione nga papjekuria e paaftësia. Masa ndëshkuese që përveç dëmit politik dhe pasojave gjeostrategjike, vendit i sollën edhe humbje ekonomike. Ekonomia e Kosovës, edhe ashtu përtokë, është përkeqësuar edhe më shumë, ndërsa nivelin e dobët dhe mungesën e zhvillimit në këtë fushë këta qeveritarë janë përpjekur ta kamuflojnë me manipulime shifrash”, tha Azemi.

“Një pushtet që premtoi ligj e drejtësi por shënoi rekorde me shkeljen e Kushtetutës, kurse Gjykatës Kushtetuese i shpallën luftë nga i pari deri te i fundit. Krahas tentimit për të kapur çdo institucion të drejtësisë, gjithë ekzekutivi u vu në mbrojtje të keqpërdoruesve si Martin Berishaj e Nagip Krasniqi. Duke mbrojtur këta njerëz të aferave që përdoren shtetin për përfitme nga tregtia me energji, qytetarëve iu shtrenjtua rryma dy herë e asnjë veprim nuk u ndërmor për stabilitet në këtë sektor”.