Axha i 18-vjeçares që u vra në Ferizaj: Kufoma ishte në gjendje të rëndë, dukej si në filma horror

Axha i M.O., vajzës nga Ferizaj që sot u varros pasi dyshohet se ndërroi jetë nga dhuna e partnerit të saj, deklaroi se atë që i akuzuari, Dardan Krivaqa i kishte bërë mbesës së tij 18-vjeçare, ai nuk do të mund t’ia bënte as hasmit.

“Sot kur e pamë kufomën, fytyrën e saj dhe trupin se çka i kishte bërë ai, unë s’do mundesha t’ia bëja as hasmit e lërë më personit që e kam në shtrat. Kishte shumë shenja në fytyrë, në gjunjë, e rrahur, e dhunuar, shumë e sulmuar, dukej si horror. Ai ka qenë sigurisht në ndikim të alkoolit e drogës, sepse njeriu normal nuk mund ta sjellë dikë në atë gjendje”, deklaroi Remzi Osmani.

Megjithatë ai për Klan Kosova shprehet se si familje nuk janë të tillë që do donin që këtë dhunë ta ketë edhe Krivaqa ose dikush tjetër, por se shpreson që drejtësia të funksionojë dhe ai ta merr dënimin e merituar.

“Edhe nëse do ta lironin nga burgu nesër, prapë nuk jemi pishman, sepse në Kosovë kemi dy drejtësi, është ajo ligjore dhe ajo e kanunit. Nuk është e lehtë për ne, është dhimbje e madhe ajo që na ndodhi”, shprehet axha i të ndjerës.