AVONET: Lumezi dhe Maloku, të marrin masa dhe të iniciojnë masë disiplinorë ndaj Prokurorit dhe të ndërprejnë hetimet ndaj gazetarit Gjergjaj

Rrjeti i OJQ-ve, AVONT, përmes një deklarate për media, thekson se është tejet shqetësuese se si një prokurori heton një gazetar, i cili ka për qëllim zbardhjen e rasteve dhe të krijoj mundësi më të lehta të hetimit, ku pas këtij veprimi kërcënohet nga persona të papërgjegjshëm duke penguar gazetarin në detyrën e tij, të cilën e ushtron me vullnetin më të mirë.

Deklarata e plotë e AVONET-it

Mentor Gjergjaj është njëri prej gazetarëve që çdo herë ka trajtuar me profesionalizëm tema të sigurisë dhe atë të drejtësisë, ku Mentori siç edhe ishte raportuar më 3 maj 2018, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ishte kanosur nga një qytetar në Gjakovë. Pasi që ka marr kërcënime nga personi ka bërë incizimin e kërcënimit, dhe këtë ja ka ofruar Prokurorisë Themelore të Gjakovës, kjo është bërë vetëm për të pasur dëshminë vetëm për institucionin e drejtësisë.

Andaj, AVONET është thellësisht i shqetësuar se si Prokuroria Themelore e Gjakovës ka filluar hetimet ndaj gazetarit e jo ndaj personave që kanë kërcënuar atë, edhe pse qëllimi i dorëzimit të këtij incizimi ka qenë vetëm që të dëshmohet se gazetari është kërcënuar. Gjithashtu, gazetari ka qenë në kryeje të detyrës së tij, të raportimit nga vendi i ngjarjes për një rast tragjik.

Theksojmë se gazetari asnjëherë nuk e ka bërë publike këtë incizim, kështu kjo Prokurori ka vepruar në kundërshtim të asaj që i është dorëzuar, në vend që gazetari të intervistohet si i dëmtuar ai tanimë thirret që të intervistohet si i dyshuar. Madje, kjo prokurori deri më sot asnjëherë nuk ka ftuar që ta intervisto Gjergjajn si i dëmtuar, duke bërë shkelje dhe informuar të dyshuarin për kërcënim se Gjergjaj ka incizuar kërcënimin që është bërë ndaj tij.

AVONET, konsideron se kjo është shkelje e rëndë e konfidencialitetit, duke qenë se prokurorët duhet ta mbrojnë  këtë parim dhe duke rrezikuar edhe më shumë gazetarin, që kërcënimi të materializohet me sulm ndaj tij.

AVONET, konsideron se kjo qasje e Prokurorisë është e papranueshme, dhe paraqet kërcënim ndaj gazetarëve dhe cenon rëndë parimet kushtetuese të lirisë së medias dhe demokracisë në Kosovë.

AVONET kërkon nga Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi që të ndërmerr masat ndaj Prokurorisë Themelore të Gjakovës dhe Prokurorit të rastit dhe të inicojë procedurë disiplinore.

I nderuar z. Lumezi dhe Maloku, kërkojmë që të mbyllen rastet e tilla dhe të krijoni bashkëpunimin me gazetar dhe anëtar të shoqërisë civile, sepse roli i tyre është i rëndësishëm dhe i dobishëm për shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Rastet e tilla duhet të jenë alarmante, kur një anëtar i shoqërisë civile apo një gazetar, i cili kërcënohet të mos ketë mundësi të sjell prova apo mundësi për të raportuar, kjo është një praktikë e rëndë dhe jo profesionale e prokurorëve.