AVONET ka hulumtuar dhe monitoruar aktivitetin e prokurimit me titull: “Blerja e shërbimeve shëndetësore për përmbushjen e nevojave për staf shtesë të institucioneve të KPSH-ës” me nr. të prokurimit: 622-24-3539-2-1-1, me qëllim që gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti të zbatohet në tërësi legjislacioni pozitiv në fushën e prokurimit.

Gjatë hulumtimit kemi vërejtur se njëri nga operatorët ekonomik ofertues në këtë aktivitet të prokurimit, konkretisht operatori ekonomik KosovaMed Health Care SHPK, të inicuar nga Autoriteti Kontraktues, Komuna e Prizrenit, në dosjen e ofertës ka prezentuar disa “REFERENCA”, “LETER REFENENCE”, ku gjatë analizës kemi ngritur disa dyshime, mbi vëretësinë e këtyre dokumenteve.

Në dosjen e tenderit kriter bazë ka qenë posedimi i referencave për kontrata të realizuara në tri vitet e shkuara nga ky operator, konkretisht ky kriter është paraparë në pikën 9.1 dhe 9.2 të dosjes së tenderit, të këtij aktivitetit të prokurimit publik, si në vijim: “Kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale”, ku është kërkuar “Kapaciteti teknik dhe professional: Kërkesa 1. Projektet e natyrës së kontratës të realizuara në tri vitet e shkuara (duke filluar nga  koha e publikimit të këtij njoftimi) e vërtetuar  nga OE, ku përfshihen titujt e projekteve, numri, data e kontraktimit të standardeve dhe vlerat e  tyre, vlera, minimale e të gjitha projekteve të  natyrës së kontratës duhet të jetë jo më e vogël se 1.350.000,00 €; Në rast të krijimit të konsorciumit OE bartës duhet të plotësojë minimum 60 % të  kapacitetit teknik dhe profesionale të referencave  të natyrës së kontratës”. Në këtë drejtim, për të vërtetuar realizimin e këtyre kontratave, nga AK-ja përmes dosjes së tenderit është kërkuar “Dëshmia e kërkuar dokumentare – Dëshmia 1 Lista e projekteve te natyrës së  kontratës e vërtetuar për tri vitet e fundit nga  OE – (e skenuar nga origjinali) për dosien elektronike, , të deshmuara me referenca të  cilat dëshmojnë vlerën e shërbimeve dhe  natyrën e tyre apo proces verbal të pranimit përfundimtar të furnizimeve-shërbimet”

Gjatë analizmit të dosjes së ofertës së operatorit ekonomik KosovaMed Health Care SHPK, kemi identifikuar tri dokumente të dyshimta të lëshuar nga tri institucione të Republikës së Kosovës, konkretisht Komuna e Junikut, Klinës dhe Skenderajt. Mbi bazën e dyshimeve të AVONET për dorëzimin e referncave jo të sakta apo fiktive nga operatori ekonomik KosovaMed Health Care SHPK, me qëllim hulumtimi përmes kërkesave për qasjen në dokumentet publike dhe informacione, ju jemi drejtuar institucioneve të cilat kanë lëshuar këto dokumente (referenca dhe letër referenca), për të marrur informacione të sakta mbi statusin e dokumenteve dhe gjendjen e të dhënave dhe shpenzimeve, në momentin e lëshimit të referencës nga ana e institucioneve në fjalë.

Në këtë drejtim, AVONET ju është drejtuar me pyetje këtyre komunave, duke kërkuar të na informojnë mbi shumën e realizuar të kontratave të tyre të lidhura me operatorin KosovaMed HealthCare SHPK, deri në momentin e lëshimit të referencave nga ana e këtyre komunave. 

Fillimisht, brenda afatit ligjor kemi pranuar përgjigje nga Komuna e Klines, ku e njejta është deklaruar në lidhje me referencën e datës 03.04.2024 të lëshuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të kësaj komune, dhe na ka njoftuar se nga dita e nënshkrimit të kontratës me datë 01.09.2022 deri me datën 03.04.2024 (data e lëshimit të referencës), janë shpenzuar 300,487.25 euro dhe poashtu nga dita e nënshkrimit të kontratës e deri me datën 10.03.2025, janë shpenzuar 476,705.05 euro, e jo siç është deklaruar rrejshëm në REFERENCËN e datës 03.04.2024 të lëshuar nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, se kinse kjo kontratë është ekzekutuar në vlerë prej 550,000.00 euro.

Më pas, AVONET pranon përgjigje në pyetjet e saja edhe nga Komuna e Junikut, e cila deklaron se deri më datë 27.05.2024, ka qenë dhe akoma është aktivite kontrata me operatorin ekonomik Kosova Med HelathCare dhe poashtu në përgjigjen e saj Komuna e Junikut ka deklaruar se deri me datë 27.05.2024 vlera e shpenzuar e kësaj kontrate është 44.044.00 euro.


Gjithashtu, Komuna e Skenderajt me datën 21 mars 2025, është përgjigjur në pytjet e kërkesës sonë për qasjen në dokumente publike, duke deklaruar se kontrata me operatorin ekonomik në fjalë ka qenë aktive edhe pas datës 24.05.2024, kurse vlera e shpenzuar deri me datën 27.05.2024 ka qenë 268,111.29 euro dhe jo ashtu siç deklarohet në letër referencën e datës 21.05.2025, se kinse ka qenë në vlerë prej 150.000 euro.

AVONET vlerëson se lëshimi i referencave dhe përdorimi i tyre për punë të cilat ende nuk janë ekzekutuar në tërësi, por vetëm kanë filluar sipas kontratave, është në kundërshtim me rregullativen ligjore në fuqi, dhe për këtë KRPP ka lëshuar edhe interpretimin nr. 10, të dates 22.11.2022, sipas së cilës sqarohet se në rast se Autoriteti Kontraktues kërkon këtë dëshmi: 1. Listën e kontratave të realizuara në tri vitet e fundit, (nga data e njoftimit për kontratë); Kjo do të thotë që kontratat e kërkuara nga AK, duhet të jenë të realizuara (jo në realizim e sipër), pra të përfunduara brenda tri viteve të shkuara nga data e njoftimit për kontratë. Pra, nga Autoritetet Kontraktuese duhet që për bazë duhet të merret periudha e përfundimit, jo periudha e fillimit të kontratës.

Përfaqësuesi i autorizuar i operatorit ekonomik KosovaMed Healthcare me rastin e dorëzimit të ofertës së tij, me datë 27.05.2024 ka nënshkruar një deklaratë nën betim përmes së cilës ka deklaruar se pranon mundësinë e sanksioneve penale nëse në dosjen e dorëzuar ofron çfarëdo dokumenti me informata përmbajtësisht të gabueshme apo të rrejshme. AVONET ka analizuar ofertën e dorëzuar nga ky operator, i cili është shpallur edhe operator fitues nga Komuna e Prizrenit, dhe ka hasur në dokumentin e titulluar: 012 Lista&Kontrata dhe referenca tri vitet e fundit, ku në këtë dokument operatori në fjalë prezanton informata të rrejshme, duke listuar dhe sjellur referenca joreale si dëshmi, me qëlllim të vetëm që përmes mashtrimit të plotësoj kriterin e dosjes së tenderit, për kontratat të realizuara në vlerë 1,350,000.00 euro. Me këtë veprim konsiderojmë se përfaqësuesi i autorizuar i operatorit ekonomik KosovaMed Healthcare është inkriminuar në kryerjen  e veprave penale deklarim i rremë nën betim nga neni 383 i kodit material penal të Kosovës dhe keqpërdorim dhe mashtrim me prokurim publik nga neni 415 i kodit material penal të Kosovës. Andaj, kërkojmë nga Prokuroria Themelore në Prizren, që sipas detyrës zyrtare të ndërmarrë masat e nevojshme për hetimin e këtij rasti.

Pra, shihet qartë se ky operator ekonomik përmes veprimeve të tija kundërligjore, në kundërshtim me normat e legjislacionit primar dhe sekondar në fushën e prokurimit publik, ka mashtruar Autoritetin Kontraktues, Komunën e Prizrenit, me qëllim të vetëm që të shpallet fitues dhe të lidhë kontratë me të. Andaj, kërkojmë nga Komuna e Prizrenit që në mënyrë urgjente të ndërmarr masat e nevojshme ashtu siç parashihet me normat e neneve 56 dhe 99 të Ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës.