Rrjeti AVONET, së bashku me 13 organizata të tjera të shoqërisë civile, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me kërkesë për ndërmarrjen e veprimeve lidhur me zbatimin e Aktgjykimit KO124/25, i cili përcakton parimet kushtetuese që lidhen me konstituimin e Kuvendit pas zgjedhjeve.

Aktgjykimi KO124/25 ka rëndësi pasi Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit nuk nënkupton vetëm mbajtjen e një seance konstituive, por përfundimin e veprimeve kushtetuese të nevojshme për konstituimin e plotë të Kuvendit. Kjo përfshin, ndër të tjera, zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit. Pra, sipas këtij interpretimi, një seancë që nis procesin e konstituimit, por nuk e përfundon atë, nuk mund të konsiderohet si konstituim i plotë i Kuvendit.

Kërkesa e AVONET-it dhe organizatave nënshkruese vjen pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve janë certifikuar më 8 korrik 2026, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht.

Sipas organizatave, seanca konstituive e mbajtur më 6 gusht nuk ka përfunduar me konstituimin e plotë të Kuvendit, ndërsa vazhdimi i saj është caktuar për 8 gusht, pra pas skadimit të afatit 30-ditor.

Pikërisht për këtë arsye, AVONET dhe 13 organizatat e tjera i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit të përcaktuar.

Kërkesa është mbështetur në Rregullin 60 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton procedurën që ndiqet në rastet kur lind çështja e moszbatimit të një vendimi të Gjykatës.

Në këtë kuadër, organizatat kanë kërkuar që, nëse Gjykata konstaton moszbatimin e Aktgjykimit KO124/25, të ndërmarrë veprimet e parapara me Rregulloren e saj, përfshirë nxjerrjen e aktvendimit për moszbatim, përkatësisht mospërmbarim, si dhe ndërmarrjen e hapave të tjerë që i konsideron të nevojshëm në kuadër të kompetencave dhe procedurave në fuqi.

AVONET vlerëson se kjo çështje ka rëndësi të veçantë për qytetarët, pasi lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet dhe respektimin e rendit kushtetues. Sipas organizatës, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim për institucionet dhe garanton që proceset politike e institucionale të zhvillohen brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta.

AVONET thekson se kërkesa e dorëzuar nuk synon ndërhyrjen në proceset politike, por që çështja e zbatimit të Aktgjykimit KO124/25 të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe procedurave të përcaktuara me rendin juridik.

Qëllimi, sipas organizatave, është sigurimi i qartësisë juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.