Borivoje Boroviq

Avokati serb: Trupi Dankës, 2 vjeçares e cila u zhduk më 26 mars, nuk do të gjendet kurrë

Avokati Borivoje Boroviq deklaroi sot se trupi i vajzës Danka Iliq (2) nga Bori, e cila u zhduk më 26 mars, nuk do të gjendet kurrë.

Boroviq tha për agjencinë Beta se nën presionin e autoriteteve politike, policia e ka kryer hetimin “në mënyrë të ngadaltë dhe joprofesionale”.

“Ky rast është prishur nga policia, sepse publikisht i ka bërë hetimet, duke publikuar edhe deklaratat që të pandehurit kanë bërë gjatë seancës. Është gjithashtu e gabuar që publikut dhe të pandehurve iu është thënë se vepra penale është e dënueshme me burgim të përjetshëm. Më pas njëri nga të dyshuarit vdiq në stacionin policor, ndoshta nën torturë. Tani çdo i pandehur që ka mbijetuar mund të thotë se është detyruar të bëjë deklaratë nën torturën policore”, tha avokati.

Sipas tij, nëse vërtetohet se Dalibor Dragijeviq ka vdekur si pasojë e torturës policore, deklaratat e të pandehurve të tjerë që kanë pranuar krimin nuk mund të jenë dëshmi.

“Nëse nuk ka gjurmë të ADN-së nga automjeti, do të thotë se të gjitha provat janë kontaminuar nga politikanët, të cilët me ngut deshën të shpallin se çështja është zbardhur. Policia ishte mjaft e zemëruar që nuk e kishte gjetur trupin edhe pas gati dy muajsh. “Është e qartë se ata nuk kanë ndërmarrë veprime kriminale dhe mjeko-ligjore me kohë, por janë mbështetur në poligrafin, i cili është i parëndësishëm për hetimin e prokurorit”, tha Boroviq.

Ai ka theksuar se trupi i vajzës nuk do të gjendet.

“Trupi i Danka Iliqit nuk do të gjendet dhe hetimi do të duhet të ndërpritet dhe kjo tragjedi do të shndërrohet në farsë”, tha ai.

Ai shtoi se rasti i Danka Iliqit është vetëm një në serinë që policia nuk e ka zgjidhur për shkak të presioneve dhe ndërhyrjeve të autoriteteve politike.

“Në hetimin e vrasjes së këngëtares Jelena Marjanoviq dhe avokatit Misha Ognjanoviq kanë ndërhyrë edhe zyrtarët politikë, të cilët pas disa ditësh kanë njoftuar se e kanë ditur se cilët janë vrasësit. Në të gjitha ato raste, në vend që të dorëzonte provat në prokurori në mënyrë të fshehtë, policia ua dorëzoi politikanëve individualë të gjitha detajet e hetimit. “Asnjë çështje gjyqësore nuk është themeluar pa u konsultuar më parë me disa nga politikanët në mënyrë që ata të mund të vlerësojnë se si duhet të kryhet hetimi,” tha Boroviq.

Vajza Danka Iliq u zhduk më 26 mars nga oborri i familjes në vendbanimin Banjsko Polje afër Borit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar publikun se vajza është vrarë më 4 prill.

Srdjan Jankoviq (50) nga fshati Luka dhe Dejan Dragijeviq (50) nga fshati Zlot, punonjës të JKP “Vodovod” nga Bori, janë arrestuar për shkak të dyshimit se Danka e vogël është goditur fillimisht nga një veturë e firmës dhe më pas e futi në automjet dhe e vrau.

Ata akuzohen gjithashtu se e kanë hedhur trupin e vajzës në deponi mbeturinash.

Dalibor Dragijeviq dhe babai i tij Rade u arrestuan më 6 prill, nën dyshimin se e kishin ndihmuar Dejan Dragijeviqin për ta zhvendosur trupin e vajzës në një vend të panjohur.

Dejan Dragijeviq vdiq më 7 prill në stacionin policor në Bor, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Në njoftimin për shtyp thuhej se “eksperti mjekësor deklaroi vdekje natyrale”.

Trupi i Dragijeviqit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Beograd, ku në raportin e autopsisë thuhet se në trup janë gjetur gjurmë lëndimesh dhe se vdekja është shkaktuar nga dhuna.

Hetimet për vdekjen e dhunshme të Dragijeviqit janë duke u zhvilluar nga Departamenti i Kontrollit të Brendshëm të MPB-së.

Ndërkohë, Prokuroria e Lartë Publike në Zajeçar ka marrë rezultatet e para të ekzaminimit të ADN-së nga Qendra Kombëtare e Kriminalistikës dhe Teknologjisë, të cilat nuk tregojnë asnjë gjurmë biologjike të vajzës.

Trupi i Danka Iliqit ende nuk është gjetur.