Një avokat nga Çeçenia, anëtar edhe i “Komiteti Kundër Torturës”, ka thënë se 21 nga të afërmit e tij janë “rrëmbyer” në Çeçeni.

Gjatë ditëve të fundit, gjithsej gjashtë aktivistë të opozitës, të cilët kanë qenë kritikë ndaj autoriteteve çeçene, dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut kanë raportuar për ndalimin ose zhdukjen e dhjetëra të afërmve.

Abubakar Yangulbaev i Komitetit Kundër Torturës iu tha mediave se më 25 dhjetor burra të paidentifikuar të veshur me uniforma të zeza i çuan të afërmit e tij në stacionet e policisë dhe sekuestruan telefonat, pasaportat si dhe dokumente të tjera.

Bastisjet u zhvilluan më 23-25 dhjetor në fshatin Goity dhe kryeqytetin rajonal, Grozny, tha ai.

“Ata nuk janë akuzuar për diçka, s’kanë asnjë aktakuzë zyrtare. Sipas informacioneve të mia janë rrëmbyer 21 persona. Për momentin në Çeçeni ka një rrëmbim masiv të të afërmve të blogerëve të opozitës, aktivistëve të të drejtave të njeriut, në përgjithësi njerëz të pakënaqur. Rrëmbimet po i kryen më i forti Ramzan Kadyrov”, tha Yangulbaev.

Që nga 22 dhjetori, është raportuar se të afërmit e blogerëve të opozitës Tumso Abdurakhmanov, Khasan Khalitov, Minkail Malizayev, mbrojtësit e të drejtave të njeriut Mansur Sadulaev dhe Aslan Artsuev janë zhdukur ose janë arrestuar.

Autoritetet federale nuk kanë komentuar mbi situatën.

Kadyrov, i cili ka sunduar Çeçeninë që nga viti 2007 me një kult personaliteti rreth tij, akuzohet shpesh nga grupet ruse dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për abuzime të rënda të të drejtave të njeriut duke përfshirë rrëmbimet, torturat, vrasjet jashtëgjyqësore dhe shënjestrimin e komunitetit LGBT.