Avokati Morina: Kosovarët e kanë të ndaluar që të bashkohen në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit!

“Kosovarët e kanë të ndaluar që të bashkohen në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit!”, ka thënë avokati Saimir Morina

“Të gjithë shtetasit e Kosovës, e kanë të ndaluar pjesëmarrjen në konflikte jashtë territorit të vendit tonë, e këtë e them duke pasur për bazë  Ligjin Nr. 05/L-002, për Ndalimin e Bashkimit në Konflikte të Armatosura Jashtë Territorit të Vendit, i cili ka hyrë në fuqi më 25 mars 2015. Më qëllim të mbrojtjes së interesit shtetëror dhe sigurisë kombëtare, ky ligj përcakton veprën penale të bashkimit apo pjesëmarrjen në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ai tutje shprehet se: “Ky ligj zbatohet ndaj çdo personi i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheqë apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës. Ndërsa nuk zbatohet ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës të cilët kanë shtetësinë e shtetit të huaj, dhe janë pjesë e ushtrisë ose formacionit ushtarak të tyre, ose shërbejnë në formacionet ushtarake nën kontrollin e qeverive ndërkombëtarisht të pranuara apo organizatave ndërkombëtare. Gjithashtu nuk mund të zbatohet edhe për strukturat e sektorit të sigurisë të Republikës së Kosovës, të cilat në bazë të ligjit veprojnë jashtë territorit të Republikës së Kosovës”.

Tutje avokati Morina thekson se: “Sanksionet penale për shkelësit e këtij ligji variojnë nga 3 muaj deri në 15 vite, sepse një pjesëmarrje e tillë konsiderohet vepër penale në përputhshmëri me Kodin e Procedurës Penale, respektivish nenin 22 të tij. Bashkimi në konflikte të armatosura është i ndaluar në çfarëdo mënyre të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ofron, kërkon, mbledh ose fsheh fonde apo mjete të tjera materiale me dashje, dijeni, në mënyrë publike, në tubim ose me anë të shkrimeve, xhirimeve audiovizuele, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në rrjetet sociale ose në çfarëdo forme tjetër të komunikimit, thërret ose nxit të tjerët për bashkim të tillë, apo ka bazë të arsyeshme për të besuar se do të përdoren tërësisht apo pjesërisht për të kryer veprën penale të përcaktuar në ligjin në fuq, mund të dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesëmbëdhjetë (15) vite. Përveç dënimi është e paraparë edhe sanksioni përmes konfiskimit dhe sekuestrimi i pasurisë së përfituar me vepër penale”.

“Prandaj, në ketë stad duhet të kemi parasysh sa i përket deklarimeve të bëra nga presidenti Putin, se mercenarët nga shtetet e Ballkanit, veçanërisht nga Kosova janë duke marrë pjesë në konfliktin e armatosur ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës”, ka thënë avokati Morina.