Avokati Koci e quan paradoksal aktgjykimin e Kushtetueses për personat që s’lejohen të kandidojnë për deputetë

Avokati kosovar, Arianit Koci, e ka quajtur paradoksal aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen se ndonjë person i dënuar për vepër penale nuk mund të kandidojë për pozitën e deputetit.

Koci e quan paradoks pikën ku thuhet se “Kushtetuta dhe ligjet përkatëse nuk lejojnë që personi i dënuar për vepër penale as të kandidojë në zgjedhje (nëse ka qenë i dënuar për vepër penale gjatë tri viteve të fundit) e as të ushtrojë detyrën e deputetit (nëse me vendim gjyqësor të formës së prerë është dënuar me një apo më tepër vite burgim)”. Sipas tij, në të njëjtin aktgjykim, Kushtetutesja ia lejon ndonjë deputeti të ushtrojë detyrën e deputetit edhe nëse dënohet gjatë kohës sa është deputet deri në një vit burgim.

Koci shkruan se më këtë logjikë, është duke u bërë një diferencim mes kandidimit dhe ushtrimit të postit të deputetit.

“Kur kandidon, duhet me qenë i padënuar – qoftë edhe për vepra penale pa pasoja juridike, ndërsa pasi të bëhesh deputet, bën me qenë kriminel, ama mos me e tepruar shumë. Në anën tjetër, sipas këtij aktgjykim, në mënyrë implicite veprat penale pa pasoja juridike nga neni 93 paragrafi 2 të Kodit Penal (vërejtja gjyqësore dhe dënimi me gjobë), në fakt qenkan vepra me pasoja juridike”, ka shkruar tutje avokati Koci.

Koci ka potencuar se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme nuk mund të interpretohet i shkëputur nga Kodi Penal i Kosovës.