Avokati Koci: AGK s’bën t’i nënshtrohet politikës, t’i mbrojë gazetarët

Avokati Arinait Koci ka kërkuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës të mos i nënshtrohet politikës por të dalë në mbrojtje të gazetarëve sa herë partitë politike sulmojnë, kërcënojnë, shantazhojnë e linçojnë mediat.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës nuk është me reagu me dy ditë vonesë. AGK ka mision tjetër. AGK s’bën t’i nënshtrohet politikës”, ka shkruar Koci.

Ky reagim i Kocit ka ardhur pasi AGK kërkoi nga Vetëvendosje të distancohet nga Hysen Durmishi, i cili kërkoi arrestimin e dy gazetarëve për rastin “Dehari”.

“Ky asociacion duhet të reagojë edhe më fuqishëm, të bëjë thirrje sistemit të drejtësisë që të mbrohen gazetarët. Gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre kushdo që vjen në pushtet. Frikë duhet të kenë vetëm mercenarët. Vetëm ata që s’kanë qenë kurrë gazetarë. Shoqëria kurrë më shumë s’ka pasë kërkesa me pasë gazetarë e gazetari të bazuar mbi dhe për FAKTET”, ka shkruar Koci.

Me dy ditë vonesë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të distancohet nga gjuha linçuese e Hysen Durmishit, i cili kërkoi arrestimin e gazetarëve për ‘Rastin Dehari”.

“AGK fton këtë subjekt politik të distancohet nga kjo qasje e patoleruar ndaj kolegëve tanë dhe i bëjmë thirrje z. Hysen Durmishit që të tërheq fjalët e tij dhe të kërkoj falje publike”, shkruan në reagim.

AGK publikoi reagimin pasi avokati Arianit Koci denoncoi zyrtarin e Vetëvendosjes, i cili kërcënoi gazetarët me arrestim.

“Linçimi publik i bërë nga zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, ndaj drejtorit të televizionit Klan Kosova, Baton Haxhiu, dhe ndaj kryeredaktorit të gazetës online Insajderi, Vehbi Kajtazi, për AGK është shqetësues dhe i papranueshëm. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim të thellë këtë lloj kërcënimi, meqenëse është hera e tretë që reagon ndaj gjuhës së anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje drejtuar gazetarëve”, shkruan në reagim.

“AGK fton këtë subjekt politik të distancohet nga kjo qasje e patoleruar ndaj kolegëve tanë dhe i bëjmë thirrje z. Hysen Durmishit që të tërheq fjalët e tij dhe të kërkoj falje publike”, thuhet më tej në reagim.

Ndryshe, Koci, në reagimin e parë, sot tha se janë të papranueshme thirrjet e eksponentëve të Vetëvendosjes për burgosjen e gazetarëve pse kanë dhënë mendime të tyre për rastin e Astrit Deharit.

Koci ka pyetur nëse ekziston Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës për t’i mbrojtur gazetarët.

“A ka Asociacion të Gazetarëve në këtë vend? A ka gazetarë? A është dikush që mbron lirinë e mediave? Lirinë e gazetarëve? Thirrjet për burgosjen e gazetarëve bëhen vetëm në Rusi, Turqi, Venezuelë e Kubë. Gazetarët s’mund të arrestohen pse kanë shkruar, pse kanë shprehur mendimin e tyre – qoftë edhe i gabuar”, ka shkruar Koci, në një reagim.

“Përndyshe, të vërtetën për Astritin po e kërkojmë të gjithë. Poashtu, shume prej nesh jemi të pakënaqur se si janë kryer hetimet – prandaj duhen hetime të reja, kredibile dhe profesionale. Mbi të gjitha, Astriti ka qenë në duar të shtetit. Por, thirrja për burgosjen e gazetarëve është e papranueshme”, ka shtuar ai.

Ai ka publikuar një postim të zyrtarit të Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, i cili ka kërkuar të arrestohen dy gazetarë të tjerë për rastin e Astrit Deharit.

Rasti i Astrit Deharit u rikthye në publik pas ekspertizës së ardhur nga Zvicra në të cilën thuhet se bazuar në prova është pak e mundshme që Astrit Dehari të ketë bërë vetëvrasje. Kërkohet të bëhet një hetim i ri për të shikuar edhe pista tjera përfshirë edhe përfshirjen e ndonjë personi të tretë në këtë ngjarje.

Raporti i ardhur nga Zvicra nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë dhe as si është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën.

Astrit Dehari ishte arrestuar fillimisht si i dyshuar për sulm terrorist mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Vetëvendosjes. Ka vdekur 78 ditë pasi ishte arrestuar derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Rasti i aktivistëve të VV’së është kthyer në rigjykim por ende s’është caktuar data.