Avokati i Veselit: Prokurorisë mos t’i jepen më shumë se 15 muaj për ta paraqitur çështjen në gjyq

Avokati britanik i Veselit, Ben Emmerson ka dhënë propozimet e tij në lidhje me kohën që i duhet palëve për të paraqitur çështjen e tyre në gjyq.

Emmerson ka propozuar që Prokurorisë t’i jepet një vit kohë për ta parashtruar çështjen e saj, me mundësi që kjo të zgjatet deri në 3 muaj më shumë.

Në këtë bazë, Emmerson thotë se kjo do të rezultonte në një fazë gjyqi prej katër deri në pesë vite, dhe çdo zgjatje e mëtejshme, sipas tij nuk do t’i shërbente drejtësisë.

“Propozimi i Mbrojtjes do të rezultojë në një gjyq prej dy deri në tre vjet dhe një fazë gjyqi total prej katër deri në pesë vjet, në varësi  nëse përdoren periudhat e zgjatjes dhe ndonjë ndërprerje midis rasteve të Prokurorisë dhe Mbrojtjes. Mbrojtja pohon se 12-15 muaj ofrojnë mundësi të mjaftueshme për Prokurorinë për të ngritur një rast kundër të akuzuarit. Për më tepër, nëse nuk mund të bëhet brenda këtij afati kohor, ka shumë pak gjasa që tërheqja e mëtejshme e procedurave do t’i shërbejë interesave të dikujt”, thotë Emmerson.

E në një shkresë të mëhershme të dërguar në gjykatë, Emmerson kishte thënë se Prokuroria bazuar në numrin e dëshmitarëve, ka kërkuar gjithësej 1 mijë e 863 orë për të paraqitur çështjen e saj në gjykim.

“Mbrojtja regjistron shqetësimin e saj dhe i tërheq vëmendjen gjyqtarit të procedurës paraprake për kohëzgjatjen e parashikuar të gjykimit. Prokuroria ka treguar në Rregullën e saj 95(4)(b) Lista e dëshmitarëve se kërkon gjithsej 1,863 orë për të paraqitur çështjen. Për ta vendosur këtë kërkesë në perspektivë, Mbrojtja ka nxjerrë dy shembuj nga raste të ngjashme me shumë të akuzuar në ICTY”, thuhet në shkresën e Emmerson.

Emmerson ka theksuar faktin se në çështjen kundër Prliç, prokuroria kishte marrë 296 orë për të prezentuar çështjen, apo gjithësej 1 vit e 9 muaj.

Avokati gjithashtu ka theksuar se në çështjen e Milutinoviqit, prokuroria kishte kërkuar 166 orë apo 10 muaj për të prezentuar çështjen e saj, shkruan tutje lajmi.net.

Ndërkaq, në rastin e krerëve të UÇK-së, Emmerson ka thënë se nëse shkohet me të njëjtin model të mbajtjes së seancave, vetëm prezentimi i çështjes së Prokurorisë do të zgjaste mes 9 e 11 vite.

“Kjo do të thotë se, nëse rasti në fjalë do të zhvillohet në një shkallë të ngjashme me Prlić dhe të tjerët, rasti i Prokurorisë do të zgjaste 132 muaj, pra mbi 11 vjet. Nëse kryhet në një shkallë të ngjashme me Shainović et al. (Milutinoviq), atëherë rasti i Prokurorisë do të zgjaste 112 muaj, pra mbi 9 vjet” ka thënë Emmerson.

Emmerson ka thënë se një gjykim i tillë i zgjatur në asnjë mënyrë sipas tij nuk do t’i shërbejë interesit të drejtësisë dhe asnjërës palë në këtë rast.

“Mbrojtja pohon se një gjykim i tillë i zgjatur në asnjë mënyrë nuk do t’i shërbejë interesit të drejtësisë për asnjërën nga Palët ose për këtë Gjykatë. Rasti më i thjeshtë i prokurorisë do të kishte një ndikim pozitiv në të gjitha aspektet e kësaj çështjeje dhe është në interes të të gjitha palëve”, ka thënë Emmerson në shkresën e tij.

Ndërkohë, para pak ditësh, Prokuroria e Specializuar ka amandamentuar aktakuzën kundër krerëve të UÇK-së, duke ua bartur atyre përgjegjësinë penale edhe për dy kampe ndalimi të pretenduara, në rrethinën e Suharekës dhe atë të Gjilanit.

Sidoqoftë, Thaçi, Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e akuzave që rëndojnë mbi ta.