Avokati Arianit Koci i cili e përfaqëson ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi ka thënë se bastisja e shtëpisë së tij në orët e para të mëngjesit, mund të jetë konfirmim i aktakuzës.
Kështu ka deklaruar ai, ku mes tjerash e quajti këtë bastisje një spektakël i panevojshëm.
“Po kryhet një bastisje e cila është spektakël i panevojshëm, deri sot çdo njëri është paraqitur në speciale nuk ka pasur nevojë për një spektakël të tillë. Kjo mund të jetë konfirmim i aktakuzës por jo domosdoshmërisht”, tha ai në “Gjesi” të T7.
Theksojmë se sot që nga ora 06:00 e mëngjesit, forca të shumta të njësisë së EULEX kanë rrethuar shtëpinë e ish-kryeparlamentarit Krasniqi, njëherit ish-zëdhënës i UÇK’ë, shkruan Gazeta Metro.
Më herët Tribunali Special ka konfirmuar se janë duke u kryer operacione në Prishtinë, teksa detaje të tjera do të bëhen të ditura më vonë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Më shumë informacion do të jepet më vonë”, thuhet në njoftim.
Bastisja është duke vazhduar ende tek shtëpia e Krasniqit, kurse nuk dihet nëse po zhvillohen bastisje të tjera në Prishtinë.







