Avokati i Gotovinës: A ka bërë vepër kriminale prokurori në rastin Thaçi

Avokati amerikan me origjinë kroate, Luka Misetic, ka thënë se Prokurori i Specializuar që ka publikuar aktakuzën ndaj liderëve politikë të UÇK’së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ka mundësi të ketë bërë një vepër penale.

“Nëse Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk ka marrë leje nga një gjykatës që të zbulojë padinë konfidenciale, ekziston pyetja nëse Prokurori vetë ka kryer një krim duke publikuar info konfidenciale. Zyra e Prokurorit të Specializuar është subjekt i persekutimit kriminal për publikime të paligjshme”, thotë ish-avokati i gjeneralit kroat Ante Gotovina i cili u shpall i pafajshëm nga Tribunali special i Hagës për krime lufte.

Misetic ka lidhur edhe disa fotografi në postimin e tij në Twitter me të cilat tregon ligjet në bazë të të cilave Prokurori i Specializuar nuk guxon të zbulojë aktakuzat pa një leje paraprake nga gjykatësi.

Prokurori Special bëri të ditur pas zbulimit të aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit se e kishte bërë këtë veprim pasi që ekzistonin fakte që personat në fjalë po mundoheshin të sabotonin punën e Gjykatës Speciale.