BIK

Avokati i BIK-ut zbardh rrethanat e zhvarrosjes së kufomës nga vendi i “rezervuar”

Bashkësia Islame në Pejë, ka bërë zhvarrimin e T.G., 6 muaj pas varrimit të tij me ceremoni fetare, për të rivarrosur në një hapësirë tjetër, pa praninë e familjarëve të tij. Për këtë veprim, BIK-u ka qenë i shtyer nga një familje e cila thuhet të ketë rezervuar hapësirën, ku paraprakisht ishte varrosur i ndjeri T.G.

Avokati i BIK-ut në Pejë, Jakup Qeku ka deklaruar për “Gazeta Blic” së ka qenë i njoftuar më vonesë nga ky institucion fetar lidhur me rastin. Sipas avokatit Qeku, BIK-u është ndodhur në një situatë të vështirë në kohën kur ka vendosur të bëjë zhvarrimin e të ndjerit T.G., pasi që sipas tij kryetari i BIK-ut Musli Arifaj, është kërcënuar nga një prej familjarëve të A.G., i varrosur në afërsi të kufomës që është bërë zhvarrimi, me arsyetimin se atë vend e kishin rezervuar rreth 9 vite më parë për bashkëshortën e të ndjerit A.G.

Në këto rrethana, Qeku sqaron se BIK-u nuk ka dashur të zgjedh rastin përmes organeve ligjore dhe ka vendosur të zhvarros trupin e të ndjerit T.G., me pëlqim verbal të vajzës së tij e cila jeton në perëndim, por pa praninë e familjarëve.

Në kohën kur është varrosur A.G., në varrezat e vjetra të qytetit të Pejës, sepse tani janë edhe të rejat, në atë kohë familjarët e të ndjerit A. G. diku në vitin 2009 e kanë rezervuar vendin afër të ndjerit për bashkëshorten e tij.

Mirëpo, Këshilli i Bashkësisë Islame ia ka paguar çmimin për rezervim dhe familjarët e të ndjerit A.G., nuk e kanë rrethuar me rrethojë atë pjesë të vorrit që e kanë rezervuar. Prej 2009 deri në vitin 2018 përkatësisht muajin e 4 kanë kaluar rreth 9 vite. Me datën 14/04/2018 ka vdekur i ndjeri T.G., i cili është vëllai i palës ankuese A.G., e cila e ka paraqitur rastin në polici.

Kur njëri nga anëtarët e familjes e ka kuptuar se me datën 14/04/2018 në vendin familjarë të rezervuar për nënë e tyre, përkatësisht bashkëshortën e A.G., është varrosur dikush tjetër, ka ardhur në Bashkësinë Islame në Pejë dhe është takuar me kryetarin e Bashkësisë dhe e ka kërcënuar, se nëse nuk e lirojnë vendin e rezervuar të cilin e kam paguar, do të keni punë me mua.

Këshilli i Bashkësisë Islame i gjendur në një situatë të tillë pa rrugë dalje, ka realizuar kontakt me vajzën e T. G, e cila ndodhet në perëndim, se a mund të kryejnë zhvarrimin për katër metra pasi që vendi ku është varrosur ka qenë i rezervuar. Fillimisht, vajza e T.G. ka thënë po, në mënyrën e njëjtë se si është varrosur në herën e parë dhe ka thënë se do të kishte dëshirë që të ishte prezent në ato momente. Por ajo nuk ka ardhur dhe është kryer rivarrimi pa praninë e familjarëve. Pasi që është kryer procedura e zhvarrimit dhe rivarrimit në vend, prej katër metra distancë prej varrit të më parshëm, ajo është paraqitur në Bashkësinë Islame në Pejë për të shprehur pakënaqësi”, ka deklaruar Qeku.

I pyetur për arsyen e mos zgjidhjes së këtij rasti përmes rrugëve ligjore, avokati i BIK-ut vlerëson se ka qenë e panevojshme, derisa fajësinë për terë këtë rast ia atribuon familjes së A.G., dhe personit të autorizuar nga BIK-u për varrimin e viktimave.

Bashkësia Islame është organizatë bamirëse, nuk është institucion shtetëror, nuk ka mujtur kryetari i Bashkësisë Islame të raportoj rastin në polici, sepse edhe unë si avokat po të raportoja çdo kërcënim ish dashur që të qëndroja vetëm në polici.

Unë konsideroj që kjo nuk është bërë me qëllim, por ka qenë një gabim njerëzor që ka ndodhur, ku për të cilën pjesërisht është fajëtor familja e A.G., e cila është dashur të rrethojë hapësirën e siguruar dhe pjesa tjetër e fajita është e varrusit të BIK-ut I.A., i cili nuk e ka ditur se ajo hapësirë ka qenë e rezervume”, u shpreh ai.

Tutje, avokati Qeku i cili që nga viti 2000 shërben si palë mbrojtëse e BIK-ut thotë të ketë shkuar në vendin ku është rivarrosur trupi i T.G., për të përpiluar një raport njoftues për familjarët dhe policinë.

Unë nuk kam qenë në kohën e zhvarrimit dhe të rivarrimit te të ndjerit T. G. Pas kësaj sitate me ka njoftuar me rastin Bashkësia Islame në Pejë dhe iu kam thënë se me keni njoftuar vonë. Megjithatë unë kam shkuar në vorre bashkë me varrusin e Këshillit të Bashkësisë Islame, rreth orës 11 të datë 11/10/2018  dhe e kam përpiluar një shënim se ku ka qenë i varrosur T. G. dhe ku gjendet tani, duke e bërë përshkrimin e vendit të ngjarjes.

Raportin e kam përpiluar me qëllim për t’ia dërguar familjes që e ka rezervuar se vendin e keni të lirë, dhe një kopje familjes së T. G. që për ta pasur me lehtë për të gjetur. Të premtën e ka nënshkruar kryetari i Bashkësisë Islame, Musli Arifi”, tha ai, i cili gjatë ditës së djeshme është intervistuar nga Policia e Kosovës lidhur me rastin në cilësinë e dëshmitarit.

Në fund, Qeku thotë të ketë shprehur gatishmerinë e BIK-ut tek familja e T.G., se mund të bëjnë zhvarrimin edhe një herë të familjarit të tyre, për të varrosur sërish në praninë e të afërmve. Krejt këtë, me arsyetmin për “t’i shëruar plagët e tyre shpirtërore”.

Rasti, tani për tani është bërë objekt i hetimit nga Prokuroria e Shtetit. E cila ka nisur grumbullimin e informacioneve që çojnë drejt zbardhjes së tij. Lajmin e ka konfirmuar, zëdhënësi i prokurorisë Shkodran Nikçi.

“Prokuroria Themelore e Pejës në koordinimi me Policinë e Kosovës është në fazën e grumbullimit të informatave rreth këtij rasti, i cili është hapur për veprën penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave”, nga neni 421 i KPRK-së”, ka thënë ai.