Avokati Hasani ngre padi ndaj ish ministrit serb për mohimin e masakrës së Reçakut

Ish Ministri i Administratës së Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviç, para disa ditëve kishte dhënë deklarata ofenduese ndaj Masakrës së Reçakut, duke e quajtur atë të trilluar.

Todosijeviç, i cili njëherish është edhe anëtar i Listës Serbe, kishte cilësuar UÇK-në dhe pjesëtarët e saj si terrorist, duke mohuar kështu krimet e kryera në Kosovë nga regjimi serb.

Këto deklarata kishin ngjallur reagime të shumta, përfshirë këtu edhe kryeministrin Haradinaj i cili e kishte shkarkuar ministrin në fjalë për arsye të nxitjes së urrejtjes, shkruan Ballkani.info.

Vërejtje për gjuhën e nxitjes kishte dhënë edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e cila përmes një komunikate për media kishte thënë se është e rëndë për familjarët e viktimave të luftës, që këto krime të mohohen, duke bërë kështu edhe apel tek zyrtarët e shtetit që të distancohen nga këto deklarata.

Ndaj deklaratave të ish ministrit serb, kishte reaguar edhe avokati i njohur Nasuf Hasani.

Hasani përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kishte paralajmëruar padi penale ndaj Todosijeviçit, në rast se ai nuk do të kërkonte falje për deklaratat e tij.

Duke marrë parasysh se kërkimfalja nga ish ministri nuk erdhi, si duket edhe avokati Hasani e ka marrë seriozisht ‘premtimin’ e tij.

Sot, Hasani ka paraqitur padi penale ndaj ish ministrit Todosijeviç, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Këtë e ka bërë të ditur vet Hasani, përmes një njoftimi në Facebook, ku ka treguar se padia ndaj ish ministrit është bërë në bazë të nenit 147 të KPRK-së, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, përcjell Ballkani.info.

Hasani ka bërë të ditur se padisë i është bashkangjitur edhe avokati Arben Geci. /Ballkani.info