Avokati Halilaj: Vrasësit e udhëhequr nga Lushtaku do të kalben në burg VIDEO

Avokati nga Drenasi, Gazmend Halilaj, ka akuzuar sërish Sami Lushtakun për atentatin e kryer ndaj tij më 14 prill të këtij viti nga dy persona.

Pas publikimit të pamjeve ekskluzive të tentim-vrasjes së Gazmend Halilajt nga platforma InStory e Gazetës Insajderi, avokati nga Drenasi ka përmendur emrin e Sami Lushtakut si urdhërues i atentatit të kryer ndaj tij rreth tre muaj më parë.

“Vrasësit të udhëhequr nga Sami Lushtaku, tani do të kalben në burg”, ka thënë Halilaj përmes një shkrimi të publikuar në Facebook. “[…] vitin që shkoj më burgosën që iu zbulova krimin zingjiror më të madh të pasluftës, këtë vit, në pamundësi të përballen me mua me zunë pritën para shtëpisë”.

Prokuroria Themelore e Prishtinës arrestoi dy persona lidhur me rastin e sulmit ndaj avokatit Gazmend Halilaj më 22 prill të këtij viti. Në mesin e të dyshuarve për këtë rast është edhe Ibrahim Lushtaku, familjar i kryetarit të Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtakut.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se më 22 prill 2020, me urdhër të prokurorit të rastit të Departamentit të Krimeve të Rënda të kësaj prokurorie, ka ndaluar personat me inicialet I. L., dhe Xh. Z., për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale Vrasje në tentativë dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë më 23 prill.

Po ashtu, tri ditë para sulmit ndaj Halilajt, avokati kishte deklaruar të ketë pranuar po atë ditë – më 11 prill – një telefonatë nga Sami Lushtaku. Kishte pretenduar të jetë kanosur nga Lushtaku përmes një bisede telefonike.

“Miq Sami Lushtaku më kanosi dhe sipas tij u nis në drejtimin timin. O Sami Lushtaku je vetëm një leckë për mu. Hajde”, kishte shkruar Halilaj në një postim në Facebook tri ditë para se të ndodhte sulmi ndaj tij.

Sami Lushtaku ka mohuar përfshirjen e tij në rastin e sulmit ndaj avokatit Halilaj.