Avokati

Avokati Halilaj reagon pas vendimit të Gjykatës ndaj dy të akuzuarve për tentim vrasjen e tij

Avokati nga Drenasi, Gazmend Halilaj ka thënë se Gjykata është duke i nxitur njerëzit që të kryejnë vrasje, në një reagim ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës për dënimin me pesë vite e pesë muaj burgim ndaj të akuzuarve për tentim-vrasjen e tij. 

Dy të akuzuarit për tentim vrasjen e avokatit Halilaj, Xhelal Zeqiri dhe Ibrahim Lushtaku u shpallën fajtorë dhe u dënuan me pesë vite e pesë muaj burgim të hënën.

Xhelal Zeqiri është dënuar me tri vite burgim ndërsa Ibrahim Lushtaku është dënuar me 2 vite e 5 muaj burgim.

Në një reagim ndaj vendimit, avokati Halilaj ka thënë se ky vendim i Gjykatës i shtyn njerëzit të kryjnë vrasje të rënda.

“Gjykata po i nxitë njerëzit për të kryer vrasje, madje vrasje të rënda”, tha avokati Halilaj në një deklarim për Paparacin të hënën. “Bile avokati nuk është dashur me dal fare atë ditë”.

I pyetur nëse do ta apelojë vendimin, avokati nga Drenasi është përgjigjur: “Po te kush? Te Valdete Daka? Ajo thotë se aksident ka qenë”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, para se të shpallte aktgjykimin dënues të hënën, bëri rikualifikim e veprës penale nga vrasja e rëndë në tentativë në vrasje në tentativë.

Dy të akuzuarit janë dënuar edhe me nga një mijë euro gjobë secili për veprën penale të asgjësimit të pasurisë, dhe me nga një mijë euro të tjera për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 pasi që i dëmtuari avokati Gazmend Halilaj, më 11 prill 2020 kishte postuar një shkrim në “Facebook” kundër Sami Lushtakut, i akuzuari Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes ndaj Gazmend Halilajt, së bashku me Xhelal Zeqirin më 14 prill rreth orës 15:50 në rrugën “Muhamet Gashi” në Gllogoc, në hyrje të rrugës i kanë zënë pritë te shtëpia e tij.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Ibrahim Lushtaku me veturën “Mistubishi” posa ka ardhur i dëmtuari Gazmend Halilaj me veturën “Nisan Qashai” e ka goditur veturën e të dëmtuarit Halilaj duke e detyruar atë të dalë nga vetura e tij.

Sipas prokurorisë, pasi Halilaj është goditur nga vetura e të akuzuarit Lushtaku, ka dalë nga vetura e tij dhe ka filluar të ikë për t’iu shmangur sulmit. Në atë moment të akuzuarit kanë dalë me armë nga vetura duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kanë arritur ta qëllojnë pasi ai kishte hyrë në një lokal.

Ndërsa Sami Lushtaku akuzohej se më 11 prill pasi e ka lexuar postimin e Gazmend Halilaj në Facebook që kishte të bënte me keqpërdorimin e 1.4 milion eurove në kohën e luftës, e kishte thirrë në Viber të dëmtuarin Gazmend Halilaj duke e kanosur dhe kishte kërkuar nga ai që t’i fshijë ato shkrime.

Aktakuza thotë se Lushtaku e kishte sharë, fyer dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me e lanë” me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Po ashtu Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohet se nga data e panjohur e deri më 22 prill pa lejen e organeve kompetente kanë mbajtur pistoletat e tipit “Ekol” të kalibrit 9 mm dhe “Crvena Zasatava” të kalibrit 9 x.