Avokati i njohur, Burim Halili ka ngritur shqetësimin mbi rëndësinë jetike të regjistrimit të pronës së paluajtshme në librat kadastralë, duke theksuar se një numër i madh qytetarësh në Kosovë vazhdojnë të mbeten vetëm posedues faktikë, pa e pasur të rregulluar statusin juridik të pronës së tyre.

Në një sqarim të detajuar për publikun, Halili theksoi se prona e paluajtshme nuk është vetëm një pasuri ekonomike, por një e drejtë themelore juridike që garanton siguri, mbrojtje dhe mundësi të plotë disponimi. Ai rikujtoi se instituti i pronësisë, që nga e Drejta Romake e deri më sot, mbetet një nga shtyllat kryesore të së drejtës civile dhe është i rregulluar në Kosovë përmes Ligjit për Pronësinë dhe të Drejtat e Tjera Sendore.

Një nga problemet më të mëdha që ai evidenton është mosregjistrimi i pronave në kadastra, sidomos në rastet e trashëgimisë. Sipas tij, në shumë familje prona vazhdon të figurojë në emër të paraardhësve të largët, madje deri tek katragjyshi, duke krijuar situata ku për një pronë të vetme mund të ekzistojnë qindra trashëgimtarë.

“E prona jote, për t’u regjistruar në librat kadastralë, mund të varet nga 351 persona të tjerë”, thekson Halili, duke ilustruar një realitet kompleks ku moskryerja me kohë e procedurave të trashëgimisë e bën pothuajse të pamundur zgjidhjen e mëvonshme të çështjeve pronësore.

Ai shpjegon se mënyrat kryesore të fitimit të pronësisë në Kosovë janë përmes kontratës, trashëgimisë, parashkrimit dhe në disa raste edhe përmes mirëbesimit. Megjithatë, në praktikë hasen pengesa të shumta, duke filluar nga mungesa e dokumentacionit, moskoordinimi mes trashëgimtarëve, deri te praktikat jo të unifikuara në institucionet përkatëse.

Një tjetër sfidë e theksuar është edhe tregu i ndërtimeve të larta, ku sipas Halilit rreth 90% e objekteve në Prishtinë ende nuk janë të regjistruara në kadastra. Kjo krijon pasiguri për blerësit, të cilët shpesh mbështeten në parakontrata dhe në mirëbesim, pa pasur garanci të plotë ligjore.

Po ashtu, ai nënvizon problemet me mungesën e praktikës për kontratat e ndërrimit (shkëmbimit), çka detyron qytetarët të përdorin forma të tjera jo të drejtpërdrejta për të realizuar transferimin e pronësisë.

Halili apelon për vetëdijesim më të madh qytetar dhe veprime konkrete për regjistrimin e pronave, duke paralajmëruar se neglizhenca mund të çojë jo vetëm në komplikime ligjore, por edhe në humbje të vetë pronës.

“Prona duhet jo vetëm të posedojë fizikisht, por edhe të mbrohet juridikisht. Vetëm kështu sigurohet e drejta e plotë mbi të”, përfundon ai.