Avokati i njohur Burim Halili ka ndarë përshtypjet e tij nga një vizitë në zonën turistike të Valbonës, duke e cilësuar natyrën e kësaj ane si magjike dhe mbresëlënëse.

Përmes një postimi, Halili përshkroi peizazhin malor të Valbonës, ku gjelbërimi, pishat dhe ujërat e ftohta krijojnë një pamje unike për vizitorët.

“Rreth 1000 metra mbi nivelin e detit, me gjelbërim të jashtëzakonshëm, pisha pafund dhe ujë të ftohtë që rrjedh në çdo cep nga ujëvarat e larta”, ka shkruar ai.

Ai tregoi se, pavarësisht temperaturave të larta gjatë ditës, bora në zonat malore ende nuk ishte shkrirë plotësisht, duke krijuar një kontrast të veçantë natyror.

“Edhe pse sot moti ishte shumë i ngrohtë, bora ende nuk ishte shkrirë krejt. Një pamje që të jep freski, energji dhe ndjenjë të mirë”, u shpreh Halili.

Sipas tij, terreni i Valbonës është sfidues fizikisht, por bukuritë natyrore dhe atraksionet që ofron kjo zonë e bëjnë përvojën të paharrueshme.

“Ky terren të lodh fizikisht, por në fund e kupton sa i bukur dhe i veçantë është atraksioni që të ofron kjo zonë”, përfundoi ai.