Avokati Berisha: Vota e Etem Arifit po përdoret si pretekst për të shkuar vendi në zgjedhje

Avokati Besnik Berisha, ka përfaqësuar dje Qeverinë e Kosovës në seancën dëgjimore në rastin e trajtimit të votës së deputetit Etem Arifi për Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Sipas tij sa i përket një praktike të tillë gjithçka ka qenë e qartë deri në vitin 2017, kur Gjykata Supreme kishte marrë një vendim.

“Gjykata Supreme kishte vendosur për çështjen “Zafir Berisha” kundër PZAP. Ishte KQZ që bënte filtër para se dikush të marrë bekimin e këtij institucioni si zgjedhës ose i zgjedhur. Gjykata Supreme ka konstatuar se askush nuk mund të privohet nga e drejta e zgjedhjes dhe për t’u zgjedhur. Po të aplikohej standardi sipas nenit 29 gjysma e deputetëve sot nuk do të ishin ata që do të dilnin për të kërkuar votë. Kjo ka ndryshuar si pasojë e një vendimit të Gjykatës Supreme”, është shprehur Berisha në Klan Kosova.

“Sot kishim një debat të shteruar dhe në fund emëruesi i përbashkët i parashtruesit të kërkesës ishte: vendi duhet të shkojë në zgjedhje. E gjithë zhurma në emër të Etem Arifit, doli me një kërkesë: vendi të shkojë në zgjedhje, sepse nuk dimë rrugë tjetër thanë”.

“Dëshirat politike jo çdo herë mund të futen në vendime juridike. Ne dështuam për të siguruar proces zgjedhor po thonë, tash po e përdorim Etem Arifin si pretekst. Etem Arfii është shembull i realiteti për shumë të tjerë”.

Sipas Berishës, Kushtetuta i merr mandatin secilit deputet që dënohet me formë të prerë me mbi një vjet periudhë kohore.

“Nuk ka logjikë të pretendosh se ka qenë i ligjshëm deri ditën kur ka votuar, por vota e tij është e pavlefshme”.

“Marrja e mandatit parasheh mosprezencën e tij me mbi gjashtë muaj pa arsye. Procedurë për marrjen e mandatit të Arifit nuk është iniciuar as sot e kësaj dite. Atij i paguhet rroga edhe pse është në burg”, thotë ai.