Avokati i Thaçit, Pierre Richard Prosper, ka thënë se nuk janë në gjendje t’i fillojnë punët hetimore në prill. Ai ka thënë kjo edhe për shkak të nxjerrjes së materialeve.

Ai ka thënë se e kuptojnë kompleksitetin e punës së Prokurorisë, por ka kërkuar që Prokuroria të kuptojë edhe mbrojtjen.

“Ne nuk kemi informacion dhe kjo nuk është vetëm çështje procedurale por edhe për të drejtat e njeriut. Prokuroria duhet të përmbushë mandatet e saj dhe nëse ka nevojë për ndihmën tonë duhet të tregojnë. Unë vërej që prokuroria e ka dorëzuar një vit më herët aktakuzën dhe thonë që ende janë duke kryer hetime dhe kjo më duket e çuditshme. Ne nuk kemi mundur të udhëtojmë. Në Kosovë thuhet shprehimisht që nuk mund të udhëtojmë. Thaçin nuk e kam takuar që prej kohës kur e kanë arrestuar. Ne nuk kemi mundur t’i diskutojmë materialet”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se janë përpjekur të bëjnë seanca në Zoom me klientin por përsëri kanë pasur probleme duke shtuar se kjo platformë nuk është e sigurt.

Sipas tij, derisa të jenë në gjendje të takohen, nuk mund të ecin përpara.

Ben Emmerson ka thënë se në fazën e hetimeve, hetuesi kryesor është infektuar me COVID-19 gjë që ua ka vështirësuar punët.

Ai tutje ka përmendur edhe masat mbrojtëse nga prokuroria. Sipas tij, prokuroria ka bërë kërkesë që deklaratat e mëparshme të dëshmitarëve të caktuar duhet të mos i jepen mbrojtjes.

Emmerson ka thënë se hetimi i tyre nuk mund të përfundojë pa u përfunduar dosja paraprake nga ZPS-ja.

Avokati i Rexhep Selimit, David Young ka thënë se në teori një pjesë e hetimeve mund të fillojë në prill, por ka thënë se hetimi është ngadalësuar.

Ai ka thënë se për shkak të pandemisë globale është ngadalësuar hetimi.

Sipas tij në Kosovë nuk ka plan për vaksinim dhe është i vetmi vend në Evropë që nuk ka arritur asnjë vaksinë.

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra ka thënë se hetimi mund të fillojë në fund të prillit.