Avni Dehari: Mos transparenca e institucioneve, vrasja e dytë e Astritit

Avni Dehari ka akuzuar institucionet e Kosovës për mos transparencë, duke e cilësuar këtë si “vrasja e dytë e Astritit”.

Në një konferencë për media ai ka thënë se sot institucionit nuk ia kanë dorëzuar një kopje të origjinalit të Raportit të Institutit Zviceran mbi vdekjen e Astrit Deharit.

“Kur iu kërkova që të na japë një kopje të raportit origjinal na thanë që nuk e kemi. Njerëzit që kanë faj, njerëzit që kanë përlyer duart, ata që e kanë vrarë Astritin apo këdo tjetër mundohen të ia hedhin fajin njëri-tjetrit. Këta të Prishtinës më thanë shko në Prizren e ata të Prizrenit thonë shko në Prishtinë”, ka deklaruar Avni Dehari.

Ai thotë se pikërisht për shkak të mosbesimit kishin kërkuar që të kishte ekspertë të huaj për këtë rast.

“Si t’iu besohet kur thonë se nuk kanë kopje të origjinalit në zyrë dhe e kanë dërguar në përkthim. Nuk ka normë juridike që e arsyeton. Për shkak të mosbesimit që kemi pasur në institucionet e drejtësisë jemi detyruar që të kërkojmë ekspertë të jashtëm, por nuk kemi pasur besim sepse kanë shkelur të gjitha procedurat që nga fillimi”, ka deklaruar Avni Dehari. “Ata akuzojnë mediat e avokatin për politizim të rastit. Ata nuk duan të jenë transparentë, mund t’i fshehin faktet. Për ne si familje ky akt është vrasja e dytë e Astritit”.

Kurse avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi ka thënë se në vazhdimësi kanë kërkuar që ta posedojnë këtë raport në origjinal, të papërkthyer.

“Ne kemi pasur kërkesa të vazhdueshme që të marrim raportin e Institutit zvicran. Ky raport është kryer para dy javësh e vetëm dje Prokurorët kanë njoftuar se e kanë marrë”, ka thënë Gashi.

loading…