Avdullah Hoti për rritjen e çmimeve të produkteve bazë: E pakuptueshme si ministri Murati nuk e redukton TVSH-në nga 18% në 8%

Rritja e çmimit të produkteve në vendin tonë ka muaj që ka shkuar në ‘qiell’, çka qytetarët kanë shprehur brengën se po e kanë thuajse të pamundur ta përballojnë një gjë të tillë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, muaj më parë ka thënë se rritja e çmimeve ka ardhur prej dy faktorëve, “importimit të çmimeve dhe e dyta ka qenë manipulimet që kanë mundur të bëhen në tregun vendor nga tregtarët apo distributorët”.

Por sot deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti, konkretisht ministrin Murati pse nuk e redukton TVSH-në nga 18% në 8% për mallrat elementare, si ujun, rrymën, drithërat, qumështin, vizat etj.

Postimi i tij:

PSE NUK PO SHTOHET LISTA E MALLRAVE ME NORMË TË REDUKTUAR TË TVSH-së PREJ 8%, SIÇ E MUNDËSON LIGJI NË FUQI?!

Neni 26 i Ligjit për TVSH, pika 2, përcakton listën e mallrave për të cilat paguhet normë e reduktuar e TVSH-së prej 8%, ku përfshihen: uji, energjia elektrike, drithërat dhe prodhimet e tyre, qumështi dhe produktet e tij, vezët, librat shkollorë, pajisjet e teknologjisë së informacionit, barnat dhe pajisjet mjekësore. Ky ligj është miratuar në vitin 2015 nga Qeveria Mustafa, si pjesë e Pakos Fiskale 1.

Ndërkaq, pika 3 e të njëjtit nen specifikon se: ”Ministri i Financave mund të nxjerr akt nën-ligjor për zgjerimin e listës së produkteve me normë të reduktuar sipas Shtojcës III të këtij ligji”. Shtojca III përmban listën e mallrave ushqimore për konsum të njeriut dhe të kafshëve, farërat, bimët, e shumë mallra të tjera, për të cilat mund të reduktohet TVSH-ja nga 18% në 8%.

Është e pakuptueshme përse, pas shumë muajsh të rritjes enorme të çmimeve, Ministri i Financave nuk e redukton TVSH-në nga 18% në 8% edhe për këto mallra, në mënyrë që sadopak të ulet barra për familjet.

Dikush është dashur t’i tregojë Ministrit për këtë mundësi që ia ofron Ligji në fuqi për TVSH!!!