Avdijaj pendohet që kishte refuzuar Liverpoolin

Donis Avdijaj pranon se kishte gabuar kur vite më parë kishte refuzuar një ofertë nga kampioni në fuqi i Evropës dhe Anglisë, Liverpooli.

Ai në një intervistë për “Sport1” ka thënë se është penduar që në vend se të transferohej në Liverpool, nënshkroi kontratë afatgjate me klubin e Bundesligës, Schalke.

“Gabimi im më i madh, për të cilin pendohem shumë, ishte kur refuzova një ofertë të madhe nga Liverpooli para se të nënshkruaja kontratë të gjatë me Schalken, klubin e zemrës. Kam pasur edhe një ofertë nga Real Madridi”, ka thënë Avdijaj të martën.

Sulmuesi 23-vjeçar i përfaqësueses së Kosovës, së fundi ishte pjesë e skuadrës skoceze, Hearts, derisa në Bundesligë me Schalken ka shënuar dy gola në nëntë ndeshje. Schalke e liroi për shkak të mosdisiplinës. E huazoi dy herë, një herë të Sturm Grazi në Austri dhe një herë në Roda të Holandës. Në Holandë luajti edhe për Willem II, kurse karrierë ka bërë edhe në Turqi te Trabznospori.

Ai thotë se ka pranuar disa oferta, të cilat siç thotë do t’i shqyrtoj me qetësi.

“Skocia ishte një ambient i ri për mua, por si përvojë ia vlejti. Kam besim se do të gjej një klub që më dëshiron. Aktualisht ka disa klube të ligave të mëdha evropiane që janë duke u interesuar për mua, por unë do të vendosi me qetësi për të ardhmen time”, ka thënë Avdijaj.

Për Kosovën, Avdijaj ka shënuar dy gola në gjashtë paraqitje.