Liverpool bëri një nga përmbysjet më epike në historinë e Championsit, duke arritur në finalen e Ligës së Kampionëve.
Fitorja 4-0 kundër Barcelonës, pasi kishte humbur 3-0 në “Camp Nou”, një javë më parë, renditet së bashku me atë që ndodhi në finalen e vitit 2005 kundër Milanit për “The Reds”. Skuadra e Jurgen Klopp e bëri të pamundurën realitet, zhvilloi një ndeshje me të vërtetë të paharrueshme.
Ndërsa festimet ishin krejt të ligjshme në “Anfield”, mbrëmjen e kaluar, mendja të shkonte te Lionel Messi, në anën tjetër. Pavarësisht asaj që bëri në gjysmëfinalen e parë, ylli argjentinas e pati të pamundur të evitonte këtë disfatë, duke iu shuar ëndrra për “tripletë” këtë sezon.
La cara de Leo Messi al pasar por la zona mixta de Anfield. @ellarguero pic.twitter.com/NVrz8DG8Zm
— Adrià Albets (@AdriaAlbets) May 7, 2019
Gjërat u bënë edhe më të mjerueshme për argjentinasin, kur u la pas, në “Anfield”, nga autobusi i Barcelonës. Sipas kanalit televiziv spanjoll “El Chiringuito”, të cilit i referohet edhe “Mirror”, Messi u ndalua për t’iu nënshtruar testeve anti-doping.
Barcelona, e shokuar nga humbja dhe eliminimi, u nis për në aeroport me autobus, ndërsa ylli i saj u bashkua me shokët pas analizave përkatëse. Messi nuk pranoi të fliste për median, teksa po ecte nëpër zonën e përzier të stadiumit, pas disfatës. Fytyra e tij e zymtë ishte dëshmia e zhgënjimit të madh që pësoi në përballjen e kthimit me “The Reds”.
Do të jetë një vit tjetër pa Champions për Messin dhe Barcelonën. Ky trofe mungon që nga viti 2015 në “Camp Nou”, një “thatësirë“ tepër e diskutueshme, duke pasur parasysh se Barcelona ka lojtarin më të mirë në botë.







