Austria e gatshme për ta ndihmuar Kosovën në rimëkëmbjen ekonomike dhe për liberalizim të vizave

Ambasadori i Austrisë, Christoph Weidinger, tha se janë të përkushtuar të ndihmojnë Kosovën në rimëkëmbjen ekonomike, duke theksuar se gjatë vitit të ardhshëm do të organizohet një panair biznesi nga kjo Ambasadë për t’i njoftuar nga afër kompanitë austriake me mundësitë për të investuar në Kosovë.

Weidinger duke u shprehur i lumtur që Austria është shteti i katër me më së shumti investime në vend, vlerëson se kompanitë austriake e shohin Kosovën si vend strategjik.

“Epo, me siguri mund të them se marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve kanë qenë shumë të ngushta. Ne e kemi përkrahur që nga fillimi pavarësinë e Kosovës, gjithashtu rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe ju e dini që edhe në vitin 1999 kur nuk ishte e mundur që kosovarët të studionin në Shqipëri, ne u mundësuam të studionin pa problem në Austri. Austria është tani investitori i katërt më i madh në Kosovë dhe ne jemi duke punuar metej për të forcuar marrëdhëniet tona ekonomike dhe për të ndihmuar ekonominë dhe bizneset tona që të dalin nga pandemia e Covid-it, ne po planifikojmë si pjesë e rifokusimit tonë të biznesit, në pranverën e ardhshme për të organizuar në Prishtinë një ngjarje të madhe biznesi ku do të vijnë kompani austriake nga fusha të orientuara drejt së ardhmes dhe sigurisht teknologjia e gjelbër do të jetë një prej tyre. Duke ardhur në Kosovë dhe duke u takuar me kompani dhe duke parë mundësitë e ardhshme për të investuar këtu në Kosovë, ne mezi presim këtë ngjarje që do t’i shërbejë ekonomive të dyja vendeve”.

“Meqenëse Austria është investitori i katërt më i madh këtu, gjithashtu ajo që kam parë deri më tani është një interes shumë i madh nga kompanitë austriake për të investuar. Ne po punojmë për të sjellë më shumë kompani këtu, por ka një interes të madh nga kompanitë austriake dhe është shumë mirë të shohësh që Austria është investitori i katërt më i madh këtu”.

Austria është një ndër vendet që ka arritur plotësisht të rimëkëmbet ekonomikisht nga pandemia. Weidinger thotë se këtë e kanë bërë duke marrë masa të shpejta për t’i mbrojtur bizneset dhe punëtorët.

“Mund të them vetëm atë që bëri Austria që në fillim të pandemisë, Austria mori masa shumë të shpejta për të ndihmuar bizneset apo për të parandaluar falimentimin e biznesit, por edhe për të parandaluar që njerëzit të mbeten të papunë. Është duke i mbajtur njerëzit të punësuar dhe paratë janë përdorur për të ndihmuar bizneset. Dhe sapo pashë shifrat këtë javë që shkalla e papunësisë është më e ulët tani sesa para pandemisë. Është vërtet e këndshme të shohësh kësi lloj statistika pozitive”.

Tutje, ai theksoi se shteti austriak e ka të paraqitur në programin qeverisës mbështetjen për liberalizimin e vizave për Kosovës, duke shtuar se shpreson që kjo do të ndodhë së shpejti.

“Në programin e qeverisë së Austrisë ka një paragraf të veçantë për Kosovën ku thuhet se Austria mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën. Ju e dini që ne e kemi edhe në programin tonë të qeverisë që ne e mbështesim atë. Ne shpresojmë shumë që të ndodhë së shpejti”.

Gjithashtu, ai konfirmoi se Austria do të vazhdojë të përkrahë të rinjtë kosovarë në edukimin e tyre, përmes programeve të ndryshme.

“Epo Austria është tani donatori më i madh në fushën e arsimit. Përmes Agjencisë Zhvillimore ADA kemi projekte shumë të rëndësishme, një prej tyre është Hera+, shpresoj se së shpejti do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës në mënyrë që të implementohet sa më shpejt. Është një projekt që është para standardeve të cilësisë së universiteteve për t’i bërë ato të përputhshme me universitetet e BE-së. Për ne prioritet arsimi i lartë ka qenë në 20 vitet e fundit, kështu që ne kemi edhe një projekt të madh me BE-në që quhet ALED, që është përafrimi i arsimit me nevojat e tregut të punës, kështu që duhet të sinkronizohen t’i përshtaten tregut të punës. Gjithashtu ne jemi donatori më i madh për të rinjtë e UNICEF-it në Kosovë”.