Administrata Tatimore e Kosovës ua ka rikujtuar të gjithë atyre që punojnë si “freelancers”, se janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimin, sipas legjislacionit tatimor të Kosovës.

“Kur shërbimet si “ freelancer” ofrohen si i punësuar, të ardhurat nga paga i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga subjektet vendore, ndërsa nëse i punësuari gjendet në Kosove dhe kur punëdhënësi është jashtë Kosovës, personi obligohet që individualisht të bëjë pagesën e tatimit dhe kontributit pensional”, sqaron ATK.

Në njoftimin e ATK’së thuhet se deklarimi dhe pagesa e këtyre të ardhurave mund të bëhet me deklaratën vjetore, apo në baza mujore mundësohet deklarimi dhe pagesa e tatimit në paga dhe kontribute pensionale për personat të cilët deklarojnë dhe paguajnë vetë tatimin dhe kontributin pensional.

“
Kur shërbimet si “freelancer” konsiderohen aktivitete ekonomike të pavarura atëherë aktiviteti kërkohet të regjistrohet përmes ARBK, dhe për të ardhurat e krijuara si biznes i regjistruar në Kosovë, deklarimi dhe pagesa i nënshtrohet rregullave për pagesë, si të ardhura nga shërbimet me normën 9% në qarkullimin bruto apo sipas rregullave ligjore për të ardhura reale”, sqaron ATK.