Atentati ndaj ish-prokurorit, si dështoi “kurthi” për të arratisurit

Gjykata e Posaçme la në qeli pa afat 5 personat e arrestuar si pjesëmarrës në atentatin ndaj ish-prokurorit Arian Ndoja, Pëllumb Muharremit dhe shoferit Andi Maloku, i cili mbeti i vrarë, në ngjarjen e ndodhur më 1 Nëntor 2019.

Në burg u lanë Genti Ndërjaku alias Kili Ndërjaku, Bashkim Haxhia, Marsel Decka, Endrit Sinani, e Juljan Pjetri. Ndërkohë Plarent Dervishaj,  Ramazan Rraja, Julian Mece dhe Dritan Shkëmbi, janë shpallur në kërkim si organizatorë të atentat mafioz.

Pas atentatit, Ramazan Rraja është ndaluar në aeroportin e Zvicrës dhe pasi është marrë disa orë në pyetje, është lënë i lirë, ndërsa tashmë është shpallur sërish në kërkim. Gjithashtu pas Nëntorit, këta persona dyshohet se do të kryenin tjetër atentat.

Gjithashtu mësohet se urdhrat e arrestit për këta persona janë firmosur në muajin nëntor dhe dhjetor të vitit 2022 dhe janë mbajtur sekret, pasi prokurorët  sipas informacioneve që kishin rezultonte se eksponentët e kësaj ngjarjeje që janë shpallur në kërkim ishin duke diskutuar për t’u kthyer në Shqipëri. Por duke vlerësuar se ka kaluar kohë e gjatë prokuroria ka vendosur ta bëjë publik aksionin. /Gazeta Express