Këtë të diele të 4 shkurtit është arrestuar në Kurbin autori i dyshuar i atentatit me armë zjarri ndaj ish-deputetit të PS, Armando Prenga në maj të vitit 2023.
Në pranga ka rënë, Fatbardh Ismaili, ndaj të cilit gjykata e Lezhës kishte caktuar masën e arrestit me burg në 25 maj të vitit të kaluar.
“Në zbatim të planit të masave të hartuar në kuadër të operacionit mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit” për kapjen e personave në kërkim, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin në bashkëpunim edhe me Forcat Kombëtare të Sigurisë (FKS) bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore mbi vendndodhjen në fshatin Gurëz, njësia administrative Fushe Kuqe, Kurbin, të një personi në kërkim, është organizuar puna operacionale ku si rezultat u kap dhe u ndalua shtetasi F. I. 30 vjeç, banues në Fushe Kuqe, Kurbin.
Policia njofton gjithashtu se 30-vjeçari ishte shpallur në kërkim kombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë me vendim penal datë 25.05.2023, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me dashje’ mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese e municioneve”.
Atentati i bërë ndaj ish-deputetit i ka pasur rrënjët në fushatën zgjedhore për votimet e 14 majit 2023, sipas zbardhjes së detajeve më 17 maj.
Duke kthyer në vëmendje fushatat e tensionuara zgjedhore, zanafilla e konfliktit, që çoi më pas edhe në atentatin e dështuar ndaj Prengës, është në datë 5 maj.
“Dy persona te panjohur me pak mjekër dhe me kapele në kokë me përshëndetën para bar-kafe ‘Dublini’ në Laç dhe mu drejtuan me fjalët: A ka mundësi një minutë?”.
Kështu e shpjeguar fillimisht Islam Ismajli, babai i autorit të sulmit ndaj Prengës sot.
Sipas dëshmisë së tij, ai ishte i angazhuar në fushatën e koalicionit Bashkë Fitojmë në Kurbin dhe më 15 maj, është dhunuar nga Arben Prenga, vëllai i Armando Prengës.
Në kallëzimin që Ismajli ka bërë në polici, bëhet me dije se Arben Prenga dhe një nga komisionerët e PS e kanë goditur me grushte në pjesën e veshit, në pjesën e brinjëve në anën e djathë të trupit.
Për të shuar konfliktin, ka ndërhyrë Policia.
Më tej Ismajli shpjegon edhe si është larguar natën nga komisioni i numërimit të votave dhe më pas është rikthyer të nesërmen, në orën 10:35, të datës 15 maj në komision.
Aty, ai pretendon se ka konstatuar shkelje të procesit dhe ka kërkuar ndërhyrjen e komisionit zonal.
Mirëpo duke mos pasur një ndërhyrje nga komisioni zonal, ka përshkallëzuar situata në konflikt mes numëruesve.
“Me sa mbaj mend më ka goditur edhe një person tjetër të cilin nuk e kam mundur ta fiksoj”, shpjegon ai më tej, teksa thotë se ka dijeni se shtetasi Arben Prenga dhe personi të cilin nuk e fiksoi, janë pjesëtarë me lidhje gjaku të fisit të kandidates, shtetases Majlinda Cara.
E gjithë kjo situatë është e filmuar nga kamerat e ambienteve të brendshme të KZAZ-së Nr. 15 në qytetin e Laçit.
Pas kësaj ngjarjeje KZAZ-ja është boshatisur me urdhër të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i cili i ka kërkuar forcave të rendit të marrin në kontroll situatën.
Ismajli i është drejtuar më pas strukturave shtetërore për situatën, duke bërë edhe kallëzim penal në Polici, por sipas tij, diçka e tillë nuk është marrë parasysh dhe personat që e dhunuar, nuk janë arrestuar.
VIDEO BONUS: Aksioni kundër strukturave serbe, Sveçla: Janë mbyllur tri komuna ilegale në Pejë, Klinë dhe Istog







