Bashkëpunëtori i afërt

Astrit Haraqija flet ekskluzivisht: Ju tregoj unë se si u varros presidenti Rugova

Bashkëpunëtori i afërt i presidentit Ibrahim Rugova, Astrit Haraqija thotë se ceremonia e varrimit të tij është bërë pa ceremoni fetare, por që të gjitha pjesët tjera janë kryer siç duhet.

Ceremoninë pas vdekjes së Rugovës, Haraqija thotë se e ka kryer i ndjeri Faik Shasivari bashkë me Shefki Xheravinën dhe vetë Haraqinë.

“Kjo ceremoni, pra larja e xhenazës është kryer në shtëpinë e Rugovës në momentin e vdekjës. Atë e ka bërë Faik Shasivari, të cilin e njohin e gjithë Gjakova. Unë e kam sjellë prej atjehit, djali i tij e ka pru me veturë”, ka thënë Haraqija për Ballkani.info.

Ai tutje ka thënë se në ceremoninë e organizuar në shtëpinë e Rugovës nuk ka qenë prezentë Sali Cacaj, i cili një ditë më parë tha se Rugovës nuk i janë kryer ritet fetare.

“As Salihi, as askush tjetër nuk ka qenë atë natë aty në shtëpi. Salih Cacaj është marrë me protokoll, me organizimin e sallës e punë tjera”, thekson Haraqija.

Ai tutje thotë se ka dërgu njerëz në Velani që të pyesin ka i bie Kibla, në mënyrë që presidenti Rugova të varroset në atë mënyrë.

“Presidenti ka pasur respekt të madh për Rexhep Bojën, kryeimamin dhe atë e kemi pyetur se ka i bie Kibla që ta varrosim presidentin, sepse unë nuk e dija”, ka thënë Haraqija.

I pyetur nëse Rugova është varrosur me tesha, Haraqija ka thënë se kjo është e vërtetë, pasi që ai ishte i ballasamosur.

“Edhe kur e kemi nxjerrë trupin e presidentit nga shtëpia e kemi bërë siç bëjnë myslimanët, pra kokën përpara”, ka vazhduar tutje ai.

Sipas tij, familja ia kanë lënë atij të gjitha në dorë lidhur me këtë ceremoninë.

Të kujtojmë se ditëve të fundit është aktualizuar tema e varrimit të presidentit Rugova, megjithatë Haraqija i ka sqaruar të gjitha dhe më nuk ka vend për dilema. /Ballkani.info/