Aston Martin i modifikuar që u përdor në filma nga agjenti 007, pritet të shitet në ankand për pesë milionë funte

Me pushkë automatike, shpuese gomash, targa që rrotullohen dhe mundësi që ulësja e pasagjerit të hidhet lart, janë këto pjesët e montuara në një prej makinave më të famshme në botë.

Tani ky Aston Martin, që e përdori agjenti 007 në filmat Goldfinger dhe Thunderball, pritet të shitet në ankand për pesë milionë funte, apo shumë edhe më të lartë.

Ky është një prej pesë modeleve DB5, që pajisjet shtesë të krijuara për nevoja filmike, ende i ka funksionale.

Në filmimet e Goldfinger, gjatë vitit 1964, janë përdorur dy prej tyre – një për regjistrimin e skenave të ndjekjes dhe vozitjes, kurse tjera për pamjet brenda dhe nga afër.

Modeli i ndërtuar para 50 viteve, ishte krijuar që t’i shërbejë James Bond, ka pasur të instaluar dhjetëra pajisje sekrete, që përdoreshin për komunikim, sulm dhe mbrojtje.

Telefoni në pjesën anësore, butonat për lëshimin e vajit apo metaleve, errësimi i xhamave si dhe paneli mbi xhama që nuk mund të shpohet nga plumbat, janë disa prej këtyre instrumenteve.

Gjendja e këtij Aston Martin DB5, që del në ankand më 15 gusht në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara, është në nivelin e duhur, pasi është mbajtur shumë mirë.