Agjencia e lajmeve

Associated Press: Kosova po forcohet ushtarakisht, pas dronëve tash po blen sistemin raketor Javelin

Shitja e mundshme e sistemit raketor amerikan në Kosovë, Vuçiq thellësisht i zhgënjyer

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrë kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave antitank Javelin, i tha të enjten presidentit Aleksandar Vuçiq ambasadori amerikan në Serbi, i cili shprehu “zhgënjim të thellë”.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të enjten se kishte miratuar shitjen e mundshme të 246 raketave dhe pajisjeve përkatëse për Kosovën me një kosto të vlerësuar prej 75 milionë dollarësh, shkruan agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press (AP).

“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian, i cili është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë”, tha Byroja e Çështjeve Politiko-Ushtarake e Departamentit të Shtetit të SHBA, transmeton Ballkani.info.

Në një komunikatë nga zyra e Vuçiqit, thuhet se ambasadori amerikan Christopher Hill i ka thënë presidentit të Serbisë se Departamenti Amerikan i Shtetit do t’ia përcjellë kërkesën e Kosovës Kongresit Amerikan, i cili po shqyrton shitjen e armëve jashtë vendit.

“Kosova është një ish-krahinë serbe që shpalli pavarësinë në vitin 2008. SHBA dhe shumica e vendeve perëndimore e njohin shtetësinë e Kosovës, ndërsa Serbia, si dhe aleatët e saj Rusia dhe Kina, jo”, shkruan AP.

Presidenti i Serbisë tha se për ne “është e rëndësishme që paqja në rajon të mos prishet dhe se Serbia do të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”.

Shitja e propozuar e sistemit raketor në Kosovë vjen në mes të tensioneve në rajon.

Serbia ka zhvendosur trupat e saj disa herë gjatë muajve të fundit në kufi, i cili ruhet nga trupat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO dhe forcat e armatosura të Kosovës, në ato që Perëndimi i sheh si veprime armiqësore.

Vuçiq pohoi këtë muaj se Serbia ka një nga ushtritë më të forta në Ballkan, duke vënë në dukje “numrin e madh” të tankeve që mori nga Rusia para pushtimit të Ukrainës.

Ai është zotuar se do të vazhdojë të blejë armë nga Kina dhe vende të tjera, duke përfshirë sisteme kundërajrore, avionë luftarakë dhe dronë.

Sistemi raketor Javelin u përdor nga forcat ukrainase për të shkatërruar tanket ruse dhe automjetet e tjera të blinduara. Kosova ka forcuar forcat e saj të armatosura me dronë dhe raketa antitank kryesisht nga Turqia, duke zemëruar Beogradin, përfundon AP. /Ballkani.info/