Associated Press e Independent raportojnë për përplasjen e Metës me ambsadoren amerikane

Mediumet e njohura botërore si Associated Press dhe Independent kanë raportuar për përplasjen e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara në këtë shtet, Yuri Kim.

Presidenti i Shqipërisë e ka akuzuar ambasadoren e ShBA-së për ndërhyrje në çështjet e brendshme të shtetit të vogël evropian duke e përkrahur kryeministrin në zgjedhjet parlamentare, shkruan Associated Press.

Ilir Meta foli ashpër rreth Ambasadores Yuri Kim gjatë një emisioni televiziv të premten në mbrëmje dhe i bëri thirrje diplomates amerikane që, siç u shpreh ai, “të ndalojë së përkrahuri (Kryeministrin Edi) Rama, i cili po i shkel zgjedhjet”.

Lajmi në gazetën britanike “The Independent”

Përderisa po shfaqej emisioni në Syri Televizion, Kim i dërgoi një mesazh Metës dhe gjithashtu shkroi në rrjete sociale për zgjedhjet e së dielës, duke iu përgjigjur paralajmërimit të Metës që shqiptarët do t’i kapin sfurqet dhe veglat tjera, nëse kryeministri përpiqet të manipulojë me zgjedhjet ose me rezultatin.

“Është e papranueshme për këdo që të kërcënojë se qytetarët do t’i kapin sfurqet më 25 prill, nëse nuk u pëlqen rezultati i zgjedhjeve. Këto kërcënime meritojnë të dënohen. Ata që nxisin dhunë do të mbahen përgjegjës për rezultatet e fjalëve dhe veprave të tyre. Ndaluni”, shkroi ambasadorja amerikane.

Meta e ka akuzuar Ramën për udhëheqje të një “regjimi kleptokratik” që i ka vënë të gjitha kompetencat legjislative, administrative dhe juridike në duart e kryeministrit.