Asociacioni fiton betejën: Të hyrat vetanake nuk shkojnë te Qeveria – mbesin te populli

Komunat e Kosovës kanë fituar një betejë përballë Qeverisë lidhur me të hyrat vetanake të pashpenzuara, që kjo e fundit parashikonte t’ua merrte dhe në këtë mënyrë, komunat do të humbisnin dhjetëra milione për investime kapitale.

Kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, zoti Sazan Ibrahimi, njofton se pas lobimit të Asociacionit, Kuvendi ka tërhequr pikën 6 të nenit 9, ku parashihej procesi në fjalë.

“Pas lobimit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Parlamenti i Republikës së Kosovës sapo tërhoqi pikën 6 të nenit 9 ku ishte i paraparë marrja e të hyrave vetanake të pashpenzuara të komunave nga vitet paraprake. Po të miratohej kjo pikë e këtij neni, komunat do të humasnin me dhjetra miliona eur të parapara për investime kapitale të cilat do të ndikonin në përmisimin e jetës së qytetarit. Gjithashtu, po të miratohej kjo pikë e këtij neni, atëherë do shkelej Ligji për Menaxhimin e Financave Publike, ai për financa lokale por edhe Karta Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Urime komunave të Republikës së Kosovës!”, njofton Ibrahimi përcjell Periskopi.

Kujtojmë se një sërë kryetarësh që udhëheqin në nivelin komunal në Kosovë, patën ngritur një shqetësim të tillë ndaj këtij veprimi të Qeverisë, duke qenë që – sqaruar shkurt – paratë e mbledhura nga taksapaguesit nëpër qytete të Kosovës (komunat) që nuk ishin shpenzuar, do të merreshin nga Qeveria.

Në këtë mënyrë, komunat do ta kishin të pamundur të investonin në projekte kapitale.