Asociacioni do të bëhet: Si e sulmonte Armend Muja VV-në kur ‘hante picën’ e Bekim Haxhiut?

Në Kuvendin e Kosovës sot u diskutua në lidhje me çështjen e Nagip Krasniqit, drejtorit menaxhues të KEK-ut, që tashmë gjendet në paraburgim. Përtej kësaj teme, gjatë ditës u mediatizua shumë edhe një deklaratë e deputetit të PDK-së, Ferat Shala, rreth deputetit të VV-së, Armend Muja, i cili sipas Shalës e kishte ngrënë një picë sa ishte në ndalim.

Pica, gjithnjë sipas Shalës, i ishte dërguar nga deputeti tjetër i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili sipas tij ishte kujdesur edhe ta lironte nga paraburgimi. Në foltoren e Kuvendit të Kosovës, Shala theksoi se ai ka punë me Haxhiun që ia ka dërguar picën në burg, shkruan Nacionale.

“Kam nevojë me repliku me Bekim Haxhiun. Kur është arrestu për korrupsion (Armend Muja), në burg i ka ardhë keq, ia ka qu një picë në stacion të policisë. T’u lypë me i akreditu universitetet, ndaj kam replikë me Bekimin se ta ka pru picën dhe të ka nxjerrë prej burgut.” – deklaroi Shala.

Natyrisht, këtë deklarim e mohoi deputeti Muja.

“Në Kuvend u bën ca pretendime të pavërteta. E para, unë s’e njoh as Ferat Shalën, as Bekim Haxhiun kurrë në jetë s’i kam taku, veç qitu në Kuvend. Është e vërtetë, në një kohë jam akuzu, por s’e kontrollojmë dot, ne mund të kontrollojmë veprimet tona.” – deklaroi Muja.

Por çfarë thoshte Muja kur e “hante picën” e Haxhiut?

Që në krye të herës duhet theksuar një fakt. Që kur Muja ishte pjesë e opinionit publik, në shumicën e kohës ishte kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Në një intervistë të kahershme për në RTK, që ishte bërë virale në vitin e kaluar, Muja e kritikonte ashpër VV-në, duke e kundërshtuar edhe për çështjen e Asociacionit, të cilën atëbotë VV-ja e kundërshtonte. Muja thoshte se Asociacioni është krijuar dhe se nuk ka kthim prapa, një qëndrim jashtëzakonisht blasfemik për VV-në e opozitës.

“Asociacioni u kriju, nuk ka kthim mbrapa. Ai është nënshkru… vetëm jemi te detajet e implementimit. Në mendjen e kërkujna nuk ekziston nëse duhet të jetë, por çfare duhet të jetë…” – thoshte Muja në cilësinë e analistit.

Tutje, Muja, që sot është një nga deputetët më të njohur të VV-së, dyshonte nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e shpallte anti-kushtetues Asociacionin ishte i duhur.

“Në nifarë mënyre mu nuk më pëlqej ky vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Nuk më pëlqej për arsye se është aq ambiguoz… ma tepër unë e pashë si formalizim i opinioneve të fragmentume në shoqëri se sa një tendencë për t’i ofru zgjedhje, e ke parasyshë. Në një farë mënyre, ti pak, ky pak edhe vazhdoni…” – vlerësonte ai.

Muja e kritikonte edhe Albin Kurtin, të cilin tashmë e ka shef të adhuruar, duke theksuar se ai nuk mund të jetë burim i gjithëdijshëm e moral.

“Legjitimiteti vjen nga populli, nuk është se as Ramush Haradinaj, as Albin Kurti, d.m.th. nuk munden me qenë ato burimet e gjithëdijshme ose morale të përceptimit të legjitimitetit.” – vlerësonte Muja.

Deputeti aktual i VV-së nuk ishte shumë miqësor me VV-në e Kurtin as në vitin 2016, dy vite pasi ishte arrestuar për korrupsion e rryshfet. Në një status të vitit 2016, ai theksonte se VV-ja, bashkë me Listën Serbe, paraqesin rrezikun më të madh për rendin kushtetues të Kosovës.

“Vetëvendosje dhe Lista Serbe paraqesin rrezikun më të madh për rendin kushtetues andaj ata nuk mund të jenë mbrojtës” – shkruante Muja më 9 janar të vitit 2016.

Edhe në një status tjetër të vitit 2016, Muja e kritikonte ashpër VV-në.

“Skena politike eshte polarizuar se tepermi nga prezenca e dy forcave politike qe nuk e njohin rendin kushtetues te Ahtisarit (VV dhe Lista Serbe) dhe konsenzusi shoqeror nuk eshte i mundur. Prodhimi i alternativave qeverisese me orinetim zhvillimor nuk eshte i mundur perderisa keto dy forca te kushtezohen per njohje te reegullimit tone politik. Hapi i dyte eshte qe shtegu i mesem politik (political mainstream) te ndryshohet permes reformes zgjedhore qe parandalojne krijimin e partive provinciale (partive te ish-zonave operative). Hapi i trete eshte konsenzusi shoqeror per te kufizuar influencen e Serbise ne Kosove. Hapi i katert eshte pakti per zhvillim (privatizimi i aseteve strategjike). Hapi i peste eshte ndryshimi i elitave mediatike per te prodhur pluralizem te informacionit. Shteti, mireqeverisja dhe elitat e reja politike do te vijne vetem pas zbatimit te hapave te mesiperm.” – kishte shkruar Muja, që sot është në VV.