Asnjë zyrtarë serbë s’merr pjesë në shënimin e përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, mediat e Vuçiqit vajtojnë ‘sulmin’ ndaj tij

Qendra Përkujtimore Srebrenicë-Potoçari shënon sot 27 vjetorin e gjenocidit serb kundër boshnjakëve të kryer në korrik 1995.

Në shënimin e këtij krimi, më të madhit në Evropë që nga përfundimi i Luftë së Dytë Botërore, nuk ka marrë pjesë asnjë nga zyrtarët serbë.

Mediat serbe shumë pak i kanë dhënë hapësirë shënimit të kësaj ngjarje, duke u marrë kryesisht me sulmin e para shtatë vjetësh ndaj kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti aktual serb aso kohe kishte shkuar për të nderuar viktimat e Srebrenicës, por pa kërkuar falje për gjenocidin e kryer nga Serbia, por as ai vet nuk kishte kërkuar falje për deklaratën e bërë në vitin 1995 në Kuvendin e Serbisë ku kishte thënë nëse një serb vritet, ata do t’i vrasin 100 myslimanë boshnjakë.

Serbët sulmin me gurë dhe shishe ndaj Vuçiqit edhe sot e quajnë antenat, gjë që ishte vetëm frustrim i nënave dhe grave që kishin humbur më të dashurit e tyre nga masakra e Srebrenicës.

Varrosen 50 viktima të Srebrenicës, 27 vjet pas gjenocidit

Eshtrat e 50 viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, të identifikuara së voni, u varrosën të hënën në Qendrën Përkujtimore Potoçari – aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera.

Më 11 korrik, në Bosnje e Hercegovinë shënohet 27-vjetori i masakrës, në të cilën forcat serbe vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, gjatë luftës së viteve ’90.

Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.

Në Potoçari, ceremonitë përkujtimore të masakrës i ndoqën mijëra veta.

Hamdija Fejziq, kryetar i Komitetit Organizativ për Përkujtimin e Përvjetorit të Gjenocidit dhe nënkryetar i Komunës së Srebrenicës, tha se ishte me fat që i mbijetoi gjenocidit.

Fejziq tha se ngjarja e tmerrshme nuk duhet të bëhet kurrë “vetëm një fusnotë në historinë e njerëzimit”.

Ai u bëri thirrje zyrtarëve në Bosnje e Hercegovinë që të ndërmarrin hapa konkretë për ta bërë Srebrenicën “një qytet jete, e jo vdekjeje”.

“Në Srebrenicë, fëmijët e lindur pas gjenocidit, rriten dhe ata janë shpresa jonë”, tha Fejziq.

Michael Murphy, ambasador i SHBA-së në Sarajevë, tha se vrasjet në Srebrenicë janë “një ngjarje e errët në histori, jo vetëm për [Bosnje e Hercegovinën], por për gjithë njerëzimin”.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë hyrë në Srebrenicë – zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara.

Në ditët që kanë pasuar, ato kanë vrarë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë, ndërsa trupat e tyre i kanë hedhur në gropa në pyjet përreth.

Vrasjet kanë ndodhur për pak ditë, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdojnë ende.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocid.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq. /Ballkani.info/