Asnjë parti politike në Kosovë nuk i dënoi sulmet e Hamasit ndaj Izraelit

Përveç Qeverisë, as partitë politike opozitare në Kosovë nuk i kanë dënuar sulmet ajrore të Hamasit në drejtim të shtetit të Izraelit. Për këtë çështje, politika kosovare zgjodhi që heshturazi të mos e ndjek rrugën e SHBA-së.

Politikanët kosovarë, si rrallë herë, po heshtin rreth një çështjeje që ka aktivizuar pothuajse çdo shtet në botë.  Shumica nuk kanë dhënë asnjë koment për konfliktin e rikthyer izraelito-palestinez. Ndërsa, disa zyrtarë të Lëvizjës Vetëvendosje janë rreshtuar haptas e fuqishëm kundër Izrealit, e pro Palestinës.

Partitë politike kosovare, të cilët njëzëri çmonin popullin izraelit dhe mirëprisnin njohjen e pavarësisë së Kosovës që erdhi nga ky shtet muaj më parë, kanë zgjedhur të mos komentojnë konfliktin e nisur me sulmet e Hamasit në drejtim të Izraelit, të cilët më pas morën përgjigje nga shteti izraelit.

Qeveria e Kosovës, me asnjë instancë të saj, nuk i ka dënuar sulmet e Hamasit – organizatës së shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës – kundrejt Izraelit.

Në këtë pikë, institucionet kosovare nuk u rreshtuan krah aleatit të tyre të madh, ShBA-së.

Amerika, që e ka në listën e saj të zezë grupin ushtarak që e drejton Gazën, vazhdon të jetë në krah të Izraelit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka përkrahur Izraelin, në thirrjen e parë telefonike me kryeministrin e këtij shteti Benjamin Netanyahu prej kur ka shpërthyer konflikti.

Biden ka dënuar sulmet me raketa, duke deklaruar “mbështetje të palëkundshme për sigurinë e Izraelit dhe të drejtën legjitime për ta mbrojtur veten”, ka thënë Shtëpia e Bardhë më 12 maj.

Uashingtoni ka thënë se do të nisë një të dërguar të posaçëm në Lindje të Mesme, me qëllim të uljes së tensioneve në mes të Izraelit dhe palestinezëve.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po ashtu ka folur me presidentin e Autoritetetit palestinez Mahmoud Abbas, një rival i Hamasit në Bregun e pushtuar Perëndimor.

“Pritjet e mia dhe shpresa janë që kjo do të mbyllet herët a vonë, mirëpo Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten”, ka thënë Biden pasi ka folur me Netanyahun.

Mbi 100 njerëz janë vrarë në Gaza dhe shtatë të tjerë në Izrael që nga fillimi i luftimeve të hënën. Ministria e Shëndetësisë e Palestinës të enjten njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë ka shkuar në 119, përfshirë 27 fëmijë e 11 gra. Deri të enjten janë regjistruar edhe 580 të lënduar.

Në anën tjetër, në Izrael deri më tani janë regjistruar shtatë viktima: gjashtë të vrarë nga sulmet me raketa dhe një ushtar i vrarë nga një raketë anti-tank, që e goditi veturën me të cilën po udhëtonte.

Në një deklaratë të publikuar të premten në mëngjes, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se operacioni i ushtrisë izraelite kundër militantëve palestinezë në Gaza do të vazhdojë aq sa të jetë e nevojshme dhe se Hamasi do të paguajë një çmim të lartë për sulmet me raketa.