Pagat

Asnjë pagë e zyrtarëve publikë nuk pritet të zbritet nga shkurti

Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të jashtëligjshme disa nene të Ligjit për paga, por se me aktgjykimin e saj nuk preken pagat që u rritën. Ajo ka shfuqizuar nenet që ulnin pagat këtyre zyrtarëve, duke u mundësuar atyre që të marrin shtesën tranzitore në lartësi me diferencën e pagës që kishin para hyrjes në fuqi të ligjit për paga. Faton Fetahu nga PDK-ja thotë se që në fillim kishin paralajmëruar se ligji është diskriminuese.

Asnjë zyrtari publik nuk do t’i ulet paga nga shkurti i këtij viti, siç parashihte Ligji i pagave.

Kjo, pasi Gjykata Kushtetuese përmes një aktgjykimi, ka rrëzuar disa nene të këtij ligji, duke ua mundësuar këtyre zyrtarëve që të marrin shtesën tranzitore në lartësi të diferencës së pagës që kishin para hyrjes në fuqi të ligjit.

Faton Fetahu nga PDK-ja ka thënë se që në fillim është paralajmëruar se ligji është diskriminuese dhe se për këtë kishin deponuar edhe komente në Kushtetuese.

“Në prill të këtij viti, pata paralajmëruar se do të angazhohem që ky ligj diskriminues të shpallet i tillë, e të shfuqizohet pjesërisht nga Gjykata. Pas një kërkese kuazi-profesionale të Avokatit të Popullit, i cili e dërgoi rastin vetëm pas presionit të mbi 100 organizatave e sindikatave, ishin edhe komentet shteruese të Grupit Parlamentar të PDK-së, që i ndihmuan qartësisë së argumenteve dhe shkeljeve të evidentuara, e të cilat, sigurisht se do të trajtohen në aktgjykim”, ka thënë Fetahu.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të njohë rritjen e pagave, por ka shpallur jokushtetuese zbritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorit si dhe për ata që kanë filluar punën në këto pozita pas hyrjes në fuqi të ligjit të kontestuar.

Në aktgjykim ajo ka shpallur jokushtetuese edhe zbritjen e pagave për të gjithë nëpunësit e Shërbimit të Jashtëm, të cilët nuk ishin përfitues të shtesës tranzitore, duke ua kthyer të njëjtëve të drejtat paraprake ekzistuese.

Mes tjerash, Kushtetuesja shpalli jokushtetuese edhe standardin dhe metodologjinë e vlerësimit të shtesës për përvojën e punës në 15 vjet.

Por, sipas shefes së GP të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, po humbet elementin që në sektorin publik të mos ketë diferencë të madhe të pagës më të ulët dhe asaj më të lartë.

“Natyrisht se Kuvendi sipas aktgjykimit të plotë do të reflektojë në plotësim-ndryshimet për ligjin, por prapë po e humb elementin që në sektorin publik nuk duhet të ketë diferencë aq të madhe të pagës më të ulët dhe pagës më të lartë. Kjo ka qenë ideja, duke u prezantuar një nivel i qartë dhe transparent për të gjithë midis pagës më të lartë dhe pagës më të ulët”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ligji për paga ka hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti. Përmes tij, janë zvogëluar pagat e gjyqtarëve dhe disa nëpunësve civilë, por që vitin e parë për ato nuk janë vërejtur, për shkak se Ligji parashihte shtesën transitore prej 100 për qind.